Arsyet pse sëmuremi më shpesh gjatë dimrit

schedule11:54 - 14 Dhjetor, 2019

schedule 11:54 - 14 Dhjetor, 2019

Për shumë njerëz, dimri përfytyrohet përmes gjetheve që bien, temperaturave të ulta, pijeve të ngrohta, shiut, borës dhe…të ftohtit dhe gripit. A ka më shumë të ngjarë të sëmuremi gjatë dimrit? Po, por ekspertët thonë se jo domosdoshmërisht sëmuremi nga shiu apo i ftohti.

“Sezoni i dimrit është një koha e vitit kur kemi më shumë infeksione të frymëmarrjes,” tha për Healthline Dr. William Schaffner, një ekspert i sëmundjeve infektive në Vanderbilt University në Tennessee.

“Infeksionet e frymëmarrjes transferohen më lehtë në kohën e dimrit për dy arsye,” tha ai. “E para lidhet me kohën që ne shpenzojmë në hapësira të mbyllura, afër njëri-tjetrit dhe në kontakt të vazhdueshëm.”

Arsyeja e dytë lidhet me lagështinë e ajrit. “Kur transmetohen viruset nga një person te tjetri, zakonisht njerëzit janë 3 metra larg, një zonë që njihet si ‘zona e frymëmarrjes’,” shpjegoi Schaffner. “Gjatë dimrit, për shkak të lagështisë, virusi mbetet për një kohë të gjatë në ajër, mjaftueshëm sa për të infektuar një pjesë të mirë të të pranishmëve.”

Një pediatër në San Diego, Kaliforni, Dr. Jaime Friedman, theksoi se lagia nga shiu jo domosdoshmërisht shkakton të ftohtë. “Është e gjitha një mit,” tha ai. “Ky koncept u krijua për shkak të informacionit të paktë në lidhje me viruset dhe bakteret. Ethet e njerëzve që janë lagur nga shiu, janë të njëjta me ato të të ftohtit apo pneumonisë, ndaj u krijua kjo ide.”

Sipas Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në Amerikë, çdo vit ka miliona raste të njerëzve që sëmuren me të ftohtë dy deri në tre herë në vit. Shumica e tyre sëmuren në dimër e pranverë, por nuk bën përjashtim pjesa tjetër e vitit.

“Ftohjet shkaktohen nga viruset dhe pneumonia shkaktohet nga viruset dhe bakteret. Kështu që mund të sëmureni në çdo kohë të vitit nëse jeni të ekspozuar ndaj tyre, pavarësisht motit,” tha Friedman.

Si të zvogëloni rrezikun?

Për të shmangur sëmundjet infektive, këshillohet që të lani rregullisht duart me ujë e sapun për të paktën 20 sekonda si edhe të shmangni prekjen e fytyrës, syve, hundës dhe gojës.

Gjithashtu duhet qe të përpiqeni të shmangni kontaktin e ngushtë me ata që kolliten dhe tështijnë dhe të dezinfektoni sipërfaqet që preken më shpesh./abcnews.al