Samuel Allardyce është një trajner i njohur dhe shumë i famshëm në Premier League. 66-vjeçari mori drejtimin e WBA një javë më parë dhe objektivi është qëndrimi në kategori.
Skuadra angleze renditet në vend të parafundit me 7 pikë dhe ndeshjen e radhës e luan ndaj kampionëve të Liverpool në transfertë (27 dhjetor).
Allardyce ka folur për mediat përpara sfidës së vështirë ndaj skuadrës së Klopp. Trajneri sheh edhe Arsenal në garë për mbijetesën. “Topçinjtë” ndodhën në krizë totale dhe renditen në vend të 15-të.
“Duke parë që Arsenali bën pjesë në 8 ekipet më të dobëta, atëherë po, ata janë një nga rivalët tanë për mbijetesën. Ata dështuan edhe ndaj Manchester City. Nuk ishte një ndeshje kampionati, por çdo humbje ndikon për keq.
Lojtarët humbasin besimin dhe kriza reflekton në aspektin e tyre psikologjik. Uroj që të fitojmë kur të përballemi me ta dhe t’i zhysim edhe më keq, do të ishte një gjë e mirë për ekipin tim.
Detyra ime është të bind lojtarët që mund t’ia dalim të qëndrojmë në Premier League. Ka dy sekrete: punë dhe përqendrim. Vetëm kështu do të sigurojmë pikë dhe do ngjitemi në renditje“, përfundon Allardyce. /abcnews.al