Carlo Ancelotti është larguar nga Napoli, pasi presidenti Aurelio De Laurentiis nuk e priti mirë faktin që trajneri italian nuk ishte dakord për grumbullimin e skuadrës disa javë më parë. Diçka të tillë ish-trajneri i Milanit e shprehu hapur në konferencë për shtyp dhe tanimë i duhet të presë për ofertën e radhës.
Në Angli dhe në Itali është raportuar për një interesim të Arsenal, që shkarkoi Unai Emery dhe po kërkon për një trajner të ri. Gjithsesi londinezët kanë rivalë, pasi në garë për të marrë Ancelottin si trajner është futur edhe Everton. Klubi nga Liverpooli shkarkoi Marco Silva pas disfatës në derbi dhe po kërkon për një tjetër teknik.
Duncan Ferguson është emëruar si trajneri i përkohshëm, ndërkohë që Sky Sport raporton se bisedimet me trajnerin italian kanë nisur. Mbetet të shihet se cili do të jetë projekti që do të përqafojë Ancelotti, i cili para disa kohësh është lakuar edhe si një opsion për PSG-në, që në verë pritet të ndryshojë trajner. /abcnews.al