Arrin në 1 mijë numri i të vdekurve nga përmbytjet në Pakistan

schedule22:31 - 27 Gusht, 2022

schedule 22:31 - 27 Gusht, 2022

Zyrtarët pakistanezë bënë të ditur se si pasojë e përmbytjeve të rrëmbyeshme, të shkaktuara nga shirat e dendur që kanë goditur prej mesit të muajit qershor pjesën më të madhe të vendit, rreth 1000 persona kanë humbur jetën dhe me mijëra të tjerë janë zhvendosur.

Numri i ri i të vdekurve i shpallur të shtunën vjen një ditë pasi kryeministri Shahbaz Sharif kërkoi ndihmë ndërkombëtare për t’u përballuar me dëmet e mëdha të shkaktuara në vendin e varfër islamik.

Kombet e Bashkuara lëshuan një apel të menjëhershëm për ndihmë. Ekipet e shpëtimit janë përpjekur për të evakuuar me mijëra njerëz të izoluar nga zonat e goditura nga përmbytjet.

Kriza ka detyruar qeverinë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Zakonisht sezoni i shirave në Pakistan zgjat prej muajit korrik deri në mes të shtatorit.

Kryeministri i Pakistanit ka thënë se “madhësia e fatkeqësisë” është më e madhe se sa pritej, pasi vizitoi zonat e goditura nga përmbytjet. Shehbaz Sharif po fliste nga provinca Sindh – e cila ka pasur gati tetë herë më shumë se reshjet mesatare të saj në gusht.

Shkalla e plotë e shkatërrimit në krahinë ende nuk është kuptuar plotësisht – por njerëzit e përshkruan atë si fatkeqësinë më të keqe që kanë përjetuar. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!