Arrihet akordi, Barella mbetet “Zikaltër” deri në 2029-ën

schedule19:56 - 11 Qershor, 2024

schedule 19:56 - 11 Qershor, 2024

Tashmë gjithçka është zyrtare, Nicolo Barella ka zgjatur për 5 vite bashkëpunimin me “Zikaltërit” e Inter, me mesfushorin, që njëkohësisht është edhe zëvendëskapiteni i kampionëve të Italisë, kishte firmosur prej ditësh kontratën e re, por komunikata zyrtare e klubit milanez erdhi vetëm pasditen e të martës.

“Inter njofton se ka arritur marrëveshjen me Nicolo Barella për të vijuar bashkëpunimin deri në verën e 2029-ës”,- thuhet ndër të tjera në komunikatën e klubit “Zikaltër”, që “blindon” kështu një titullar mjaft të rëndësishëm të formacionit të teknikut, Simone Inzaghi.

Ndërkaq, kujtojmë se mesfushori 27-vjeçar kaloi tek Inter, në verën e 2020-ës dhe që atëherë ka fituar trofe të shumtë me fanellën e milanezëve, përfshi këtu edhe dy “Scudetto” dhe falë këtyre sukeseve, “fantazisti” do të përfitojë në kontratën e re, 6.5 milionë euro në sezon, që bashkë me bonuset mund të arrijë deri në 8 milionë euro në sezon. /i.m /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!