Pak muaj pas arratisjes spektakolare nga një burg i sigurisë së lartë, personi më i kërkuar në Francë është arrestuar nga policia. Bosi franko-arab njihet edhe për simpatinë e shprehur për filmat me gangsterë ku interpretojnë aktorë si Al Pacino dhe Robert de Niro.
Reduan Faid, gangsteri francez që pak muaj më parë u arratis nga burgu me helikopter, ka rënë sërish në prangat e policisë. Personi më i kërkuar i Francës është arrestuar në veri të Parisit, në një banesë ku ndodhej bashkë me të vëllain dhe dy nipërit, që gjithashtu janë shoqëruar nga policia.
Lindur në vitin 1972, karriera kriminale e Faid filloi në vitet e para ‘90, kur nisi të drejtonte një bandë që merrej me grabitje dhe gjobëvënie. Në disa raste ai ka shprehur simpatinë për filmat me gangsterë, mes të cilëve “Scarface” dhe “Heat” me Al Pacino dhe Robert de Niro, të cilin e imitoi gjatë grabitjes së një furgoni banke në vitin 1997.
Më 1 Korrik, ai u arratis nga burgu i sigurisë së lartë në jug-lindje të Parisit ku po vuante dënimin me 25 vjet për vrasjen e një policeje gjatë grabitjes së radhës. Persona të armatosur u ulën me helikopter në tarracën e burgut dhe nën kërcënimin e armëve mbajtën larg rojet derisa Faid hipi në bord.
Arrestimi i fundit i tij ndodhi në orët e para të së mërkurës, disa orë pasi ministri i Brendshëm, Zherard Kolomb kishte dhënë dorëheqjen për të kandiduar për kryetar bashkie në Lion, qyteti i dytë më i madh i Francës.
Lëvizja shihet si një përpjekje për të rritur mbështetjen ndaj presidentit Emanuel Macron, popullariteti i të cilit ka rënë ndjeshëm në javët e fundit./abcnews.al