Është arrestuar në Francë ish-oficeri i policisë së Lezhës Skënder Seferi i cili ishte i shpallur në kërkim dhe dënuar nga gjykata për vrasjen e një 15-vjeçari, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2010 në qytetin e Lezhës.
Seferi është prangosur nga policia Franceze, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ish oficeri i policisë është dënuar me 5 vite burg nga Gjykata e Lezhës me 11 dhjetor të vitit 2015-të me akuzën e vrasjes nga pakujdesia gjatë një operacioni.
Me 17 korrik të vitit 2017 në vendin e quajtur “Ura e Cenit” në Lezhë gjatë një operacioni policia qëlloi me armë në drejtim të një automjeti, ku për pasojë mbeti i vdekur Armando Skandaj, i cili po udhëtonte së bashku me vëllanë e tij dhe një person tjetër.
Nga ekspertiza e kryer rezultoi se plumbi që i mori jetën të riut ka dalë nga arma e Skender Seferit, i cili në atë kohë mbante detyrën e shefit të antiterrorit në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë.
Sipas burimeve ish oficeri i policisë është arrestuar disa muaj më parë dhe po vijohet me procedurat për ekstradimin e tijë drejt Shqipërisë. Ai mësohet se ishte larguar drejt Francës së bashku me familjen e tij në kohen që ishte në gjykim për akuzën e ngritur nga Prokuroria e Lezhës.
Dëshmia në gjykatë e Ardit Skandajt , vëllait të Armando Skëndajt
“Atë ditë isha i angazhuar në lidhje me shkollën. Kam qenë me vëllanë në makinë duke ikur për Laç. Pasi kemi ndenjur pak kohë, jemi kthyer në drejtim të Lezhës. Ndërkohë, jemi ndaluar në shtëpinë e shokut tim, në hyrje të Lezhës, dhe qëndruam aty bashkë me vëllanë. Pastaj lashë vëllanë dhe unë me Vladimirin kemi shkuar në Shkodër. Më vonë jemi kthyer. Kam shkuar e kam marrë vëllanë, pastaj jemi ndaluar tek një lokal në autostradë. Jemi nisur në drejtim të qytetit të Lezhës, të tre, unë vëllai dhe Vladimiri. Ndërkohë që jam afruar tek “Ura e Cenit” me një shpejtësi normale. Përballë meje ndodhej një fugon me pasagjerë dhe pas meje një Mercedez. Vazhdova rrugën, u ngjita sipër urës. Në këto momente jam sulmuar nga persona civilë të armatosur, të cilët ishin të armatosur me kallashnikovë dhe pistoleta. Unë jam ndaluar dhe kam ngritur duart, pasi ata më drejtuan armët.
Një person erdhi nga ana ime, ndërsa kanë zbritur edhe katër të tjerë, të cilët ishin me një automjet civil. Ata kanë tentuar të hapin derën, duke qëlluar me tytë automatiku, duke goditur që nga jashtë xhamit. Në këto momente që personi po gjuante, unë kam tentuar të eci mbrapa për të ikur, por vura re që pas meje ishte një makinë e ngjitur që më pengoi për tu larguar. Ndërkohë që personat e tjerë që ndodheshin tek makina pas, kanë tentuar të më hapin dyert e pasme të makinës, në ato momente unë kam manovruar duke vazhduar rrugën përpara me qëllim që të largohemi, që të shpëtoja. Nga frika që mos të na vrisnin të treve jam përpjekur të largohem nga vendi i ngjarjes. Kam parë që vëllai ishte i vdekur. Nga frika kam vazhduar të eci 6 kilometra. Por nga gjendja e rëndë psikologjike dhe frika e vrasjes, jam detyruar të braktis makinën në fshatin Balldre të qytetit të Lezhës. Më pas, kam kaluar përmes disa shtëpive, jam futur në lumin Drin dhe kam kaluar në anën tjetër. Më vonë jam dorëzuar në polici vetëm që të zbardhet vrasja e vëllait tim”.

