Arrestohet ish-shefi i milicisë në Istog, i dyshuar për krime lufte

schedule08:39 - 5 Gusht, 2023

schedule 08:39 - 5 Gusht, 2023

Një person i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile është arrestuar të premten në Merdarë.

Policia ka informuar se i arrestuari është i dyshuari M.P., i cili në kohën e luftës 1998-1999 ka qenë kryeshef i milicisë në Istog.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, nën autorizimet e Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, për një periudhë kohore kanë zhvilluar veprime  hetimore, mbledhje të dëshmive e provave dhe identifikimin e  kryerësve të veprave penale  të krimeve të luftës. Këto hetime kanë qenë të përqendruara rreth zbulimit të autorëve të krimeve të kryera në periudhën 1998-1999 në rajonin e komunës së Istogut. Në vazhdën e angazhimeve hetimore është arritur të mblidhen dëshmi dhe prova për krimet dhe kryesit e këtyre veprave penale. Hetuesit policorë kanë  pranuar dhe përpunuar informata të shumta operative në drejtim të identifikimit, vendndodhjes dhe lokalizimit të të dyshuarit, aktivitetit dhe lëvizjeve të  tij, në dhe jashtë territorit të Kosovës.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Procesi hetimor sipas Policisë, është ndihmuar nga zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

“Nga bashkërendimi i aktiviteteve është bërë e mundur të identifikohet një i dyshuar për krime lufte, i cili në kohën e luftës 1998-1999 ishte krye-shef i milicisë në Istog. I dyshuari M.P., është arrestuar sot, më 04.08.2023, në ora 18:05, në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare.”, ka bërë të ditur tutje PK.

Me aktvendim nga prokurori, i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!