Arrestohet Ilir Meta/ Dosja e plotë, afera CEZ DIA që çoi në pranga kreun e PL-së

schedule13:48 - 21 Tetor, 2024

schedule 13:48 - 21 Tetor, 2024

Dosja CEZ-DIA, e cila sot e çoi në pranga, prishi qetësinë e Ilir Metës, më 25 shkurt 2023, kur u thirr për herë të parë në SPAK lidhur me këtë dosje.

Ish-presidenti u pyet mbi tri orë si deklarues në SPAK, ku dha shpjegime për dosjen CEZ-DIA. Deri tani çështja që i shktoi shtetit shqiptar 5 milionë euro dëm, ka vetëm një të dënuar, Kastriot Ismailajn. Dosja e plotë CEZ-DIA u trajtua e plotë në emisionin Gjërat Tona nga gazetarja Etleva Delia, në ABC News.

EMISIONI ‘GJERAT TONA’ (25 shkurt 2023)

Ajo që pritet me shumë interes është dëshmia e ish-kreut të LRI, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të DIA, Elvis Matajt, i cili ka qenë njeriu më i besuar i Metës.

Ai është pyetur edhe 7 vite më parë në Prokurorinë e Tiranës, por kësaj here në SPAK çështja po merr përmasa të tjera.

Kjo edhe për faktin se Meta e cilësoi Elvis Matajn si një mashtrues të përzëne nga LSI.

Në fakt, ashtu si në vitin 2015, kur nga foltorja e Parlamentit Meta nuk ngurroi të sulmonte gazetaren që kreu investigimin mbi korrupsionin e CEZ, edhe të mërkurën mbajti të njëjtin qëndrim.

Ai hoqi përgjegjësinë nga vetja duke thënë se në kohën e privatizimit të CEZ, detyra e tij shtetërore ka qenë tjetër.

Meta thotë se në vitin 2009, ka qenë në Pragë për një vizitë zyrtare, në kohën kur ministër Ekonomie ishte dikush tjetër.

Ndërsa akuzon Prokurorinë e Posaçme se merr urdhra nga Partia Socialiste e në vazhdimësi të tyre është edhe thirrja për të dhënë deklarime.

Ish-presidenti tha se të dhënat publike, përfshirë edhe deklarimet e ish-shefit ekzekutiv të CEZ, Josif Heisek gjatë procesit të arbitrazhit, janë përgënjeshtruar nga kompania që mbronte interest e CEZ.

Heisek ka deklaruar në atë kohë se Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn, me kompaninë DIA, si njeriun e tij të besuar, për mbledjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ.

Meta u shmang të përgjigjej për marrëdhëniet e tij me biznesmenin Kastriot Imailaj, i cili ka mbajtur postin e administratorit të DIA-s.

Vetë ish-presidenti nuk dha shumë shpjegime për ato çfarë deklaroi në SPAK.

Por burime të sigurta nga Prokuroria thonë se Meta ka hequr çdo përgjegjësi nga vetja duke ia kaluar Entit Rregullator të Energjisë.

AKUZAT PER METEN

Avokatët që përfaqësonin OSHEE-në në një gjyq arbitrazhi ndërkombëtar në Vjenë, pretendonin se kishin prova që Ilir Meta ka marrë ryshfet nga biznesmeni Kastriot Ismailaj.

Meta akuzohej se kishte marrë ryshfet nga Debt International Advisory, DIA, një kompani mbledhje borxhi që ka hedhur në gjyq OSHEE-në në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë.

Detajet e akuzave rrjedhën pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013.

Në atë kohë kjo kompani quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit Çek të energjisë, CEZ Grup.

Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, zyra ligjore e OSHEE-së, Clifford Chance pretendonte se Meta kishte qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh.

Këto shuma sipas akuzave të Chance ishin përfituar nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011.

Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj aktualisht ndodhet në burg i dënuar me 11 vjet heqje lirie.

Ai u akuzua se ka orkestruar një skemë mashtruese të mbledhjes së borxheve të CEZ, në bashkëpunim me ish-kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek.

Skema erdhi në jetë pasi CEZ grup bleu 76 për qind të aksioneve të shpërndarësit të energjisë elektrike OSSH në vitin 2009.

Në këtë formë duket se kishte për qëllim të influenconte në mënyrë të paligjshme politikanët shqiptarë si dhe Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE.

Sipas dokumentit të hartuar nga Clifford Chance, DIA përfitoi 1.48 milionë euro në 2010 nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për identifikimin e borxhit të kompanisë.

Kjo pagesë besohet se u përfitua nga DIA për të influencuar një vendim të ERE për uljen e çmimit me të cilin KESH ia shiste energjinë elektrike CEZ Shpërndarje.

DËSHMITARI ‘KYÇ’

Elvis Mataj u vu në mbrojtje policore në vitin 2016, pasi pretendonte se kishte fakte e prova që do të hidhnin dritë mbi skandalin CEZ-DIA, ku bëhej fjalë për një skemë të pastër mashtrimi në mbledhjen e borxheve të CEZ.

Në fakt, ai asnjëherë nuk mori statusin e bashkëpunëtorit apo dëshmitarit të drejtësisë, pasi Prokuroria nuk e konsideroi dëshminë e tij me shumë interes për procesin.

Mbrojtja policore iu garantua për shkak të dyshimeve se i kanosej rrezik për jetën, pas dëshmisë që kishte dhënë në gjykatën e Arbitrazhit.

Ai kishte rrëfyer marrëdhëniet e tensionuara me biznesmenin Kastriot Ismailaj dhe kërcënimet që ky i fundit i kishte bërë për jetën.

Aktualisht nuk ka të dhëna se ku ndodhet Elvis Mataj, por sipas dëshmive ai është jashtë Shqipërisë.

INTERVISTA E ROMEO KARA

Njeriu që ekspozoi aferën e CEZ, jurist i OSHEE, sot është në mbrojtje.

Juristi Romeo Kara, i cili ka bërë kallëzimin përkatës për këtë aferë, tha se Meta ndihet i trembur dhe se është kapur gafil.

Gjatë një interviste për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, juristi tha se Meta akuzohet për një tjetër vizite që ka bërë me Kastriot Ismailajn në Pragë, ku janë bërë disa pagesa në vlerën e 1.8 milionë eurove.

“Jam personi që kam bërë kallëzimin përkatës dhe pasi kam bërë këtë kallëzim, duke parë që do shkonte kaq gjatë kjo punë që po shkon, unë jam përballur me median. Dhe një transparencë e mediave të ndihmojë në këtë sfidë që ka populli shqiptarë për tu përballë më ketë dukuri. Është i trembur zoti ish-president dhe gjithathtu u mbrojt me disa pseudo-argumente përballë mediave. Ky moment e ka kapur gafil. Akuzohet për një vizitë tjetër me Ismailajn. Meta në 2010 është akuzuar nge Prifti në këtë aferë, Unë kam dyshime se edhe ai ka qenë i përfshirë dhe pasi ka dalë nga Loja ka akuzuar Metën. Në Pragë janë bërë tre pagesa, mbi 1.8 milionë euro”, tha ai.

Juristi e konsideroi të vonuar thirrjen e Metës në organet e drejtësisë sa i takon kësaj aferë korruptive.

Ai tha se drejtësia duhet të veprojë menjëherë dhe të ndërmarrë të gjitha lëvizjet e duhura për t’i sekuestruar pasurinë ish-presidentit Meta.

Juristi tha se edhe ish-kryeministri Sali Berisha kishte dijeni për këtë aferë, por se nuk ka dashur ta kallëzojë Ilir Metën, sot aleatë në opozitë.

“Shumë e vonuar, ai ka pasur dhe ka pushet politik akoma. Ai ka pasuri pafund, që duhet t’i sekuestrohen në mënyrë të menjëhershme. Unë shpreh një lloj optimizmi, që SPAK merr guximin ta thërrasë. Berisha kishte dijeni për këtë aferë nuk e ka kallëzuar. Të akuzuar nga unë janë Meta, Berisha dhe shtatë të tjerë”, shtoi ai.

Një ditë pas pyetjes tri orëshe në SPAK, Ilir Meta ishte më agresiv se kurrë ndaj qeverisë.

Por duket se kësaj radhe institucionet e drejtësisë, janë më indiferente ndaj presioneve politike që vijnë nga rruga.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!