Janë arrestuar dhe janë dërguar në arrest shtëpie prindërit e ish-kryeministrit të Italisë, Matteo Renci, të akuzuar për një seri mashtrimesh financiare. Sipas mediave italiane, masa e sigurisë ndaj çiftit Renci është propozuar nga Prokuroria e Firences dhe pranuar nga Gjykata e këtij qyteti.
Konkretisht, Ticiano dhe Laura Renci akuzohen se kanë qenë në zotërim të tre kooperativave, përmes të cilave kanë lëshuar fatura për veprime financiare fantazmë dhe që më pas kanë shpallur qëllimisht falimentim të rremë. Masa e sigurisë është dhënë pas konkretizimit të një hetimi të gjatë të Guardia di Financës, përmes të cilit është zbuluar se familja Renci krimet në fjalë i ka kryer përgjatë periudhës 2010-2018.
Duke reaguar ish-kryeministri ka deklaruar se ka besim se drejtësia italiane do të nxjerrë të vërtetën. Ai është shprehur i paduruar për të ndjekur procesin gjyqësor, i bindur se akuzat ndaj prindërve të tij janë një fabrikim absurd.
Renci, 44 vjeç, shërbeu si kryeministër i Italisë nga shkurti i 2014 deri në dhjetor 2016, kur dha dorëheqjen pas dështimit të referendumit për reformën kushtetuese. Pas lajmit ai është detyruar të anulojë prezantimin e librit të tij që do të bëhej në Torino./abcnews.al