Janë vënë në pranga dy zyrtarë të Burgut të Peqinit. Mësohet se bëhet fjalë për ish-shefin juridik Gani Shehu dhe kartelistin Lulzim Kadiu. Dy zyrtarët janë arrestuar për falsifikim të kartelave të punësimit brenda burgut.
Dyshohet se Shehu dhe Kadiu kanë falsifikuar kartelat e disa të burgosurve, mes të cilëve edhe Viktor Ymeri, i cili është personazh i njohur në botën e krimit. Gjithashtu mes atyre që kanë përfituar veç, Ymerit ka qenë edhe një tjetër i dënuar me inicialet L.H. Ata u kanë shtuar më shumë orë pune të dënuarve, që të përfitonin lirinë parakohe.
Ka qenë, Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, që ka bërë ndalimin e shtetasve;
1-Gani Ali Shehu, i datëlindjes 04.04.1987, banues në Tiranë, ish Përgjegjës i Sektorit Ligjor në IEVP Peqin.
2- Lulzim Fadil Kaziu, i datëlindjes 19.08.1957, lindur e banues në Peqin me detyrë kartelist në sektorin ligjor në IEVP Peqin.
Ndaj këtyre shtetasve Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan bazuar në materialin referues të Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje, ka regjistruar Procedimin Penal Nr.1642 të vitit 2021 për veprën penale “Shpërdorim i Detyrës” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 i Kodit Penal.
Shtetasit e ndaluar, në bashkëpunim me njëri tjetrin me veprime aktive konkrete kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodi Penal, duke sjellë për pasojë përfitime të paligjshme për të dënuarit, në lidhje me uljen e dënimit dhe duke administruar në dosjen penale të tyre, kartela punësimi të falsifikuara.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje, mbetet i përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit në sistemin e burgjeve, si dhe goditjen e çdo rasti paligjshmërie. /abcnews.al/