Arrestohen dy persona në Lezhë, një tjetër procedohet penalisht për vepra të ndryshme penale

schedule11:12 - 3 Gusht, 2021

schedule 11:12 - 3 Gusht, 2021

Dy persona në Lezhë kanë rënë në pranga, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale.

Sipas policisë 41-vjeçari D.Gj., banues në Jezull të Mirditës është arrestuar pasi ka kultivuar bimë narkotike kanabis.

Gjithashtu në pranga ka rënë 22-vjeçari O.M., banues në Kamzë pasi u kap duke transportuar sirianë me automjetin e tij në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë uniformat blu bëjnë me dije se 48-vjeçari D.A., është proceduar penalisht pasi u kap duke transportuar me një mjet tip furgon, dyer të blinduara për të cilat nuk dispononte dokumentin përkatës.

DVP Lezhë –Informacion-Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër shtetas , për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Lezhë, në vijim të punës së pandërprerë për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Jezull, Rrëshen, në një ambient të hapur, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasi D. Gj., 41 vjeç, banues në Jezull, Mirditë, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.

—-

-Specialistët e Hetimit të Trafiqeve në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. M., 22 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar shtetas sirianë, me automjetin e tij, në mënyrë të paligjshme.

Shërbimet e Njësisë Operacionale për Autostradën Milot-Morinë i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të mjetit tip “Jeep”, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar. Pas koordinimit me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë ky shtetas është konstatuar dhe ndaluar në Rubik. Gjatë kontrollit të dokumentacionit, ka rezultuar se shtetasi O M. drejtonte mjetin pa leje drejtimi.

-Specialistët e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë proceduan  penalisht shtetasin D. A., 48 vjeç, banues në Kukës, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me një mjet tip furgon, 19 dyer të blinduara, për të cilat nuk dispononte dokumentacion shoqërues.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!