Tetë persona janë arrestuar nga uniformat blu për vepra të ndryshme penale. Uniformat blu bëjnë me dije se materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
“Arrestohen në flagrancë 8 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit K. K., 24 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, pasi nëpërmjet rrjeteve sociale ka kanosur një shtetase, duke e shtrënguar për dhënie pasurie.
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. S., 20 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi farash të lëndës narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Th. S., 25 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 39 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi pa leje”.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. M., 46 vjeç, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: E. Sh., 36 vjeç, E. T., 37 vjeç dhe I. Gj., 50 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./mv.abcnews.al