Arrestimi i vrasësit të Ardian Nikulajt, Shqipëria pa marrëveshje ekstradimi me Marokun

schedule10:19 - 9 Maj, 2023

schedule 10:19 - 9 Maj, 2023

Ditën e djeshme, shtetasi portugez, Ruben Saraiva që kishte rolin e ekzekutorit në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalin në pronësi të tij në Shëngjin, u arrestua në Marok, pasi kishte udhëtuar në këtë shtet nga Greqia.

Por sa i përket marrëveshjes së ekstradimeve që mungon me Marokun, autoritetet përkatëse në të kaluarën kanë përdorur në disa raste parimin e reciprocitetit të ndërsjellt. Kjo do të thotë, se ekziston varianti që Saraiva të shkëmbehet me ndonjë person të shpallur në kërkim nga autoritetet marokene dhe që mund të jetë ndaluar në Shqipëri.

Ndërkohë, ky person ka disa nga anëtarët e familjes së tij në Marok, dhe me sa duket ka qenë i informuar edhe sa i përket mungesës së një marrëveshjeje ekstradimi me Shqipërinë të këtij shteti, duke e zgjedhur si vend ku do të vijonte arratinë e tij.

Policia ka mundur të konfirmojë se Saraiva ka mbërritur në Rabat me linjë ajrore me dokumenta false, por akoma nuk është e qartë se nga cili shtet. Sipas policisë është e konfirmuar se ai ka qenë në Greqi, vend ku qëndroi atje për ditë me radhë, por akoma nuk është saktësuar nëse fluturoi nga vendi fqinj apo nga ndonjë vend tjetër në afërsi.

Është vënë komunikimi me autoritetet marokene, me të cilat sipas policisë po krijohet bashkëpunim i frytshëm, edhe pse pa një marrëveshje ekstradimi do të provohen të gjitha tentativat përmes konventave ndërkombëtare për ta sjellë në vendin tonë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!