Ngjarja e 20 gushtit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh, ku u arrestuan 3 shtetas të huaj, të cilët akuzohen nga shteti ynë si spiunë rusë është pasuar me një tjetër incident.
Burime për gazetarin e Abc, Aldo Kozarja, bëjnë me dije se dy ditë pas ngjarjes nënkryetarja e Bashkisë së Gramshit, Ergita Kaso, ka shkuar në zonën ku ndodhet Uzina e Përpunimit të Armëve, për t’iu qëndruar pranë banorëve, por edhe personave që po kryenin hetimin, por ka patur një përplasje verbale mes saj dhe Policisë Ushtarake që ndodhej në zonë.
Burimet theksojnë se nënkryetares së Bashkisë i është kërkuar që të mos futet në zonë, por ajo e ka kundërshtuar, në këtë moment forcat e Policisë Ushtarake e kanë shoqëruar forcërisht për në komisariat.
Të njëjtat burime për gazetarin Kozarja theksojnë se Drejtues të prokurorisë së Elbasanit pasi janë njohur me ngjarjen kanë shkuar dhe kanë biseduar me nënkryetaren e Bashkisë, por kjo e fundit është mjaftuar me një ndjesë nga ana e Forcave të Armatosura, dhe nuk ka bërë denoncim.
/Abcnews.al/