Arrestimi i tre aktivistëve pas protestës, Vetëvendosje kërkon shkarkimin e drejtorit të policisë Lezhë

schedule13:58 - 14 Prill, 2021

schedule 13:58 - 14 Prill, 2021

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka kërkuar shkarkimin e drejtorit të Policisë së Lezhës Zef Laskaj pas arrestimit të tre aktivistëve të saj për shkak se morën pjesë në protestën kundër HEC-it në Mirditë këtë të dielë.

Kandidatët për deputet në Qarqet Tiranë dhe Lezhë, Boiken Abazi dhe Iliaz Shehu kanë deklaruar se Besnik Paci, Çlirim Gërbeshi, Etnik Berisha dhe Endrit Bytyqi gjenden prej më se 72 orësh në komisariatin e Lezhës, në shkelje të procedurave, ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Sipas tyre, Laskaj ka kërcënuar kandidatin Iliaz Shehu dhe katër të arrestuarit, tre prej të cilëve janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ata i kanë bërë thirrje pushtetit të ndalë praktikat e shtetit policor.

Deklarata e plotë

Të ndalet keqpërdorimi i policisë nga pushteti, të shkarkohet Zef Laskaj!

Kandidatët për deputet në Qarqet Tiranë dhe Lezhë, Boiken Abazi dhe Iliaz Shehu, mbajtën paraditen e sotme një konferencë për media në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tiranë. Ata reaguan ndaj veprimeve të Policisë së Shtetit gjatë dhe pas protestës së thirrur prej banorëve të fshatit Thirrë ditën e shtunë, të cilës iu bashkuan edhe qytetarë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Katër qytetarë – Besnik Paci, Çlirim Gërbeshi, Etnik Berisha dhe Endrit Bytyqi – gjenden prej më se 72 orësh në komisariatin e Lezhës, në shkelje të procedurave, ligjit dhe të drejtave të njeriut. Në ndërkohë, drejtori i policisë së Lezhës, Zef Laskaj, ka vazhduar me presion dhe kërcënime në komisariat ndaj aktivistëve dhe ndaj vetë kandidatit Iliaz Shehu.

Boiken Abazi dhe Iliaz Shehu kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve të cilët janë plotësisht të pafajshëm. Bazuar mbi dëshmitë e bëra publike edhe mediatikisht të shkeljeve të shumta nga ana e policisë duke përfshirë dhunën psikologjike e fizike ndaj protestuesve ata kanë kërkuar shkarkimin nga policia e shtetit të Drejtorit të Policisë Vendore në Lezhë, Zef Laskaj, nisjen e hetimit nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme si dhe një raport sa më parë nga Avokati i Popullit.

Kandidatët i kanë bërë thirrje pushtetit të ndalë praktikat e shtetit policor.

Boiken Abazi theksoi se policia edhe po keqpërdoret edhe po keqtrajtohet. Atyre nuk u sigurohet jeta, nuk u paguhen orët shtesë, nuk u sigurohet transport, detyrime këto të shtetit karshi uniformës së tyre.

Iliaz Shehu theksoi mënyrën banditeske të shoqërimit të të ndaluarve, shumë kilometra larg protestës me ndjekje të makinave dhe me postoblloqe, pengimin e ushtrimit të të drejtës së qytetarëve dhe aktivistëve për t’u përfaqësuar me avokat, presionin e ushtruar mbi ta për të firmosur deklarata të rreme si dhe një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut.

Pushteti po e përdor policinë në Lezhë si mjet presioni ndaj kandidatit Shehu, aktivistëve të Lëvizjes dhe qytetarëve, duke penguar fushatën elektorale.

“Metodat e frikësimit janë tejet primitive, por edhe joefikase. Gjithë kjo përndjekje që na është bërë deri tani nga ana e institucioneve të kapura shtetërore na është kthyer në mbështetje më të madhe qytetare. Por, ama, kjo nuk është mënyra e duhur, as e luftimit tonë, por as nuk është mënyra se si ne duam të shkojmë deri te publiku dhe qytetarët.

Ne duam të takohemi me qytetarët dhe ta marrim mbështetjen e tyre në bazë të programit dhe vendosmërisë tonë. Nuk duam një fushatë ku gara elektorale shndërrohet në sulm të organizuar institucionalo-partiak ndaj nesh.

Për këtë arsye iu bëjmë thirrje për heqje dorë nga metodat e intimidimit dhe të presioneve. Le të bëjmë një fushatë normale ku ky pushtet i marrë fund gjithësesi do të dalë i humbur.”, theksoi ai.

Praktikat e shtetit policor, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! i kanë hasur edhe më herët në Kosovë gjatë angazhimit të tyre atje, dhe njësoj si ia kanë dalë me sukses atje, do të fitojnë edhe në Shqipëri. Arsyeja pse këto po ndodhin është shqetësimi i regjimit prej kandidaturave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! duke targetuar madje edhe aktivistë që vijnë nga Kosova. Duhet të jetë e qartë që ne as nuk trembemi dhe as nuk smbrapsemi. Do të vazhdojmë përpara për të çuar drejt fitores projektin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! edhe në Republikën e Shqipërisë./mv.abcnews.al