Arrestimi i pedagogut të Akademisë së Sigurisë, akuzohet për falsifikim dokumentesh

schedule12:21 - 2 Dhjetor, 2021

schedule 12:21 - 2 Dhjetor, 2021

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar pedagogun e Akademisë së Sigurisë në Policinë e Shtetit Qetsor Gurra.

SHÇBA njofton se në pranga është vënë edhe inspektori D.L., me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Autostradave në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor, kandidat në procesin e konkurrimit për gradën “Nënkomisar”.

Vendimi i GJPKKO për masën e sigurimit ndaj këtyre punonjësve të policisë u mor pas hetimeve disa mujore të kryera nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, në funksion të procedimit penal Nr. 382/2021  për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, parashikuar përkatësisht nga nenet 245/1 dhe 186/1 i Kodit Penal.

Gjatë hetimeve të kryera është mësuar se dy punonjësit e policisë jepnin premtime dhe favorizonin në mënyrë të padrejtë kandidatët që konkurronin në testimin për gradën “Nënkomisar” në Akademinë e Sigurisë për vitin 2021.

Pedagogu Gurra dhe trupa e shërbimit të Autostradave në Qarkullimin Rrugor në procesin e konkurimit kanë depozituar dhe përdorur dokumente të falsifikuara me qëllim përfitimin e padrejtë të pikëve në kualifikimin përfundimtar të konkurrentëve.

Në funksion të hetimeve të kryera dhe të ekzekutimit të vendimeve penale të GJPKKO, u kryen kontrolle banesash, zyrash nga të cilat u sekuestruan prova materiale që dokumentojnë veprimtarinë e kundraligjshme të të arrestuarve. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!