Arrestimi i Navalnyt, nuk i lejohet komunikimi me avokatin

schedule15:03 - 18 Janar, 2021

schedule 15:03 - 18 Janar, 2021

Kritiku i Kremlinit, Aleksej Navalny, i cili u ndalua të dielën nga autoritetet në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, është në burg pa komunikuar me asnjë, thanë avokatët e tij.

Avokatët thanë se atyre nuk u është dhënë qasje qëkur Navalny u dërgua në stacionin e policisë afër aeroportit dhe se gjendja e tij nuk dihet ende.

Më herët, Ivan Zhdanov, drejtor i Fondacionit Anti-korrupsion të Navalnyt, dhe zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh, thanë se ai është në Departamentin e Punëve të Brendshme në qytetin Khimki.

Yarmysh shtoi se autoritetet vazhdojnë të refuzojnë që t’i lejojnë atij të takojë avokatin.Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri europiane kërkuan lirimin e menjëhershëm të politikanit rus të opozitës.

Navalny, 44 vjeç, u ndalua nga policia menjëherë pasi avioni  i tij nga Gjermania zbarkoi në Moskë, të dielën pasdite. Ai po kthehej në Rusi pesë muaj pas helmimit me agjentin nervor Novichok, për të cilin ka fajësuar autoritetet ruse.

Qeveria e presidentit Vladimir Putin, nga ana tjetër ka mohuar helmimin e Navalnyt. Megjithatë, pohimet e tij janë mbështetur nga raportet e gazetarëve hulumtues. Duke reaguar ndaj ndalimit të tij, SHBA-ja dhe BE-ja kanë bënë thirrje për lirim të menjëhershëm.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se autoritetet ruse po përpiqen të heshtin kritikët e tyre.

“Liderët e sigurt politikë nuk kanë frikë nga zërat konkurrues, as nuk kryejnë dhunë, as nuk i ndalojnë padrejtësisht kundërshtarët politikë”, tha Pompeo.

Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden tha: “Sulmet e Kremlinit ndaj Navalnyt nuk janë thjesht shkelje e të drejtave të njeriut, por fyerje e popullit rus, që dëshiron t’i dëgjohet zëri”, tha Jake Sullivan. Franca, Italia dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Navalnyt.

Navalny u ndalua nën  akuzat e përvetësimit të  fondeve. Sipas Navalnyt, akuzat e tilla janë të motivuara politikisht./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!