Arrestimi i Habilajt, Basha: Kjo është mafia e lidhur me Ramën

schedule22:00 - 16 Tetor, 2017

schedule 22:00 - 16 Tetor, 2017

 

Pas arrestimit të Moisi Habilajt ka reaguar e para Partia Demokratike. Sipas kryetarit Lulzim Basha, lidhjet e Tahirit me Habilajn janë denoncuar prej 4 vitesh nga demokratët. Ndërsa për ish-kryeministrin Sali Berisha, Saimir Tahiri është drejt arrestit ndërkombëtar. Vetë ish-ministri i Brendshëm thotë se nuk i bëjnë përshtypje akuzat e Bashës e se drejtësia duhet të veprojë pa dallim ndaj kujtdo.

Pasi arrestimit të Moisi Habilaj-t, kreut të një grupi të trafikut të drogës nga Shqipëria prej policisë italiane, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në një koment në rrjetet sociale, Basha thotë se PD e ka denoncuar lidhjen e qeverisë dhe ish-ministrit të Brendshëm të kohës, Sajmir Tahiri, me këtë bandë prej katër vitesh. “Audi i famshëm i ministrit, përdorej pikërisht nga ky që sot u arrestua në Itali. Edi Rama arrestoi Dritan Zaganin, oficerin e policisë që e denoncoi këtë lidhje dhe sulmoi opozitën pareshtur. Po sot çfarë do të thotë?”, shkruhet në deklaraten e kryetarit të Partisë Demokratike. Vetëm ngarkesa e drogës e kapur prej policisë italiane sipas shefit të selisë blu, vlen 20 milionë euro. “Po në 4 vite, sa para qarkulloi narkomafia me mbështetjen e Tahirit dhe mbrojtjen e Ramës?” pyet kryetari i Partisë Demokratike “Kjo është mafia dhe këto janë lidhjet e saj me Edi Ramën!” konkludon Basha komentin e tij.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha shkon edhe më tej në komentin e tij për këtë ngjarje. Në faqen e tij në FB, Berisha shkruan se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është drejt arrestit ndërkombëtar. Në komentin e tij Berisha rikujton një denoncim të hershëm të tij se Habilajt, sipas kontrollit të TIMS, kanë transportuar drogë jashtë vendit 27 herë me makinën e kushëririt të tyre Saimir Tahiri. Berisha kujton gjithashtu se Zvicra i dha azil politik oficerit të policisë që e denoncoi këtë trafik, Dritan Zaganit, ditën e vizitës së kryeministrit Rama në Bernë. Berisha shkruan se 3.5 tonët e drogës janë transportuar në Itali me skafin e Tahirit, të cilin sipas Berishës ai e shiti me një akt fallso, po tek Habilajt. Priten zhvillime klamoroze e mbyll postimin e tij ish-kryeministri.

Por nuk ka vonuar as reagimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.Po në rrjetet sociale Tahiri shkruan se nuk i bëjnë përshtypje akuzat e përsëritura të Lulzim Bashës. Tahiri shkruan se Basha nuk pastrohet dot se si ia ka hedhur drejtësisë me vjedhje e vrasje, një kujtesë sipas tij e drejtësisë që nuk kemi.

Duke iu referuar arrestimit të Habilajt, pa e përmendur me emër Tahiri shkruan

“Sa për këta që i quan kushërinjtë e mi, drejtësi deri në fund e dënim maksimal. Për këdo, pa dallim e pa përjashtim!”

https://youtu.be/8rBeys_vvdE

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!