Presidenti rus Vladimir Putin i ka ofruar të premten homologut të tij Bjellorus Alexander Lukashenko mbështetje në “betejën” me Perëndimin pas ngjarjes së ndodhur së fundmi me gazetarin opozitar Roman Protasevich.
Perëndimi e akuzon Bjellorusinë për pirateri pasi kontrolli i trafikut ajror bjellorus informoi të dielën pilotin e linjës Ryanair me pretekstrin e një kërcënimi për bombë. Pas këtij njoftimi, avioni u ul në Minsk dhe gazetari Protasevich që është kritik i Lukashenkos u arrestua së bashku me të dashurën e tij, shkruan abcnews.al
Por Putini, aleat i ngushtë i Lukashenkos, i dha mbështetje homologut të tij duke e mirëpritur ngrohtësisht për bisedime në qytetin jugor rus të Soçit dhe duke rënë dakord që reagimi i Perëndimit ndaj incidentit ishte “një shpërthim emocionesh”.
“Dikur, ata e detyruan aeroplanin e presidentit Bolivian të ulej dhe e nxorën nga aeroplani dhe asgjë, heshtje,” tha Putini, duke iu referuar një incidenti të vitit 2013 në të cilin aeroplani i Evo Morales u detyrua të ulej në Austri në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përpiqeshin të përgjonin Edëard Snowden.
Bisedimet në qytetin e Detit të Zi ishin të planifikuara para incidentit të avionit, por vijnë pasi shumë vende evropiane kanë vendosur ndalime fluturimi për aviacionin bjellorus dhe BE po peshon sanksionet e mëtejshme.
Lukashenko i tha Putinit se do t’i tregonte disa dokumente konfidenciale në lidhje me incidentin Ryanair që do ta ndihmonin udhëheqësin rus të kuptonte se çfarë ndodhi në të vërtetë. sb/abcnews.al/