BE ka kërkuar lirimin e gazetarit të arrestuar nga Bjellorusia Roman Protasevich dhe të partneres së tij, Sofia Sapega. Avioni në të cilin udhëtonte gazetari i opozitës u detyrua të ulej në Minsk pas urdhrit të Lukashenko-s.
Në përgjigje të veprimit të udhëheqësit bjellorus Lukashenko, BE ka vendosur të ndalojë fluturimin e linjave ajrore Bjelloruse në hapësirën ajrore europiane. Në një takim në Bruksel, udhëheqësit e 27 vendeve anëtare gjithashtu u kërkuan linjave ajrore të BE të mos fluturonin mbi hapësirën ajrore të Bjellorusisë dhe theksuan se do të vendosnin sanksione të mëtejshme ekonomike .
Roman Protasevich, 26 vjeç, po udhëtonte nga Greqia për në Lituani, por më pas avioni i tij u detyrua të ulej në Minsk pas alarmit fals për një bombë. Vendet perëndimore akuzuan Bjellorusinë për rrëmbimin e avionit të Ryanair, raporton abcnews.al
Autoritetet e Bjellorusisë publikuan të hënën videon e Protasevich, në të cilën gazetari detyrohet të zbresë më forcë nga avioni. Në video, gazetari tha se ishte mirë me shëndet dhe me sa duket rrëfeu për krimet për të cilat ishte akuzuar nga shteti Bjellorus. Por aktivistët, përfshirë udhëheqësin kryesor të opozitës së vendit, thanë se Protasevich ishte nën presion nga autoritetet bjelloruse.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden i përshkroi veprimet e autoriteteve Bjelloruse të dhunshme duke thënë se ato ishin “sulme të turpshme si ndaj disidencës politike dhe lirisë së shtypit”.
Babai i Protasevich tha për BBC se është i frikësuar se djali i tij mund të torturohet.
“Ne jemi vërtet të tronditur dhe të mërzitur,” tha ai. “Kjo situatë nuk duhet të ndodhë në Shekullin 21 në zemër të Europës”.
Kompanitë kryesore ajrore europiane tashmë kanë filluar të shmangin fluturimet në hapësirën ajrore Bjelloruse. Britania e Madhe ka pezulluar lejen e fluturimeve për kompaninë ajrore shtetërore Bjelloruse Belavia dhe udhëheqësit e BE u kanë bërë thirrje vendeve anëtare të ndërmarrin veprime të ngjashme.
Të hënën, Bjellorusia dëboi ambasadorin e Litonisë dhe diplomatët e tjerë pasi flamuri kombëtar i Bjellorusisë u zëvendësua nga një flamur historik i kuq dhe i bardhë i përdorur nga opozita në Kampionatin Botëror i Hokej mbi Akull në kryeqytetin Letonez Riga.
Letonia u përgjigj duke dëbuar diplomatët e Bjellorusisë./abcnews.al