Arrestimet nga SPAK, PD: Lleshaj tha se po shpifnim, koha na dha të drejtë

schedule14:26 - 10 Korrik, 2021

schedule 14:26 - 10 Korrik, 2021

Partia Demokratike ka reaguar për operacionin e SPAK lidhur me aferën e tenderit të uniformave të policisë në Ministrinë e Brendshme. Në një deklaratë për shtyp, deputeti i zgjedhur Enkelejd Alibeaj u shpreh se sot edhe njëherë, koha dha të drejtë PD-së.

Demokrati theksoi se PD denoncuar aferën korruptive që fshihej pas tenderit të Ministrisë së Brendshëm për uniformat e policisë.

Megjithatë, Alibeaj thekson se goditja e aferës nuk mund të konsiderohet e plotë nëse drejtësia nuk troket tek Rama, Lleshaj dhe Ndreca.

Reagimi i plotë:

Sot, edhe njëherë, koha i dha të drejtë Partisë Demokratike në betejën në mbrojtje të interesit publik.

Dy vite më parë, nga kjo foltore, ne kemi denoncuar aferën korruptive që fshihej pas tenderit të Ministrisë së Brendshëm për uniformat e policisë.

Atë kohë Sandër Lleshaj tha se ne po shpifnim dhe se nuk njihnim ligjin në fuqi.

Madje, ministri i Ramës, që  ka shpenzuar 350 euro nga taksat e shqiptarëve për një kapele, shkoi deri aty sa të padisë Partinë Demokratike për shpifje, duke kërkuar përgjënjeshtrim të deklratës dhe shpërblim me shumën 1 milionë lekë nga Partia Demokratike.

Paradoksalisht, teksa e vërteta po shpaloset përpara shqiptarëve, gjyqi i ngritur nga ata që vodhën miliona euro me një tender, vazhdon.

Sjellja në kujtesë e momentit të parë të denoncimit të kësaj afere, është një ilustrim i domosdoshëm për të kuptuar jo vetëm pafytyrësinë e atyre që teksa vjedhin kërkojnë të mbyllin gojën e opozitës me gjyqe propagandistike, por edhe shënjestrën e vërtetë që duhet të ketë ky aksion.

Sigurisht cdo person që shkel ligjin duhet të dalë përpara drejtësisë një orë e më parë, por është e qartë për të gjithë shqiptarët se një aferë e këtyre përmasave nuk mund të kryehet nga zyrtarë të dorës së dytë.

Partia Demokratike është dijeni për faktin që Ministria e Brendshme është njoftuar për këtë operacion tre ditë më parë, duke u dhënë të përfshirëve në këtë aferë të gjitha mundësitë për të fshehur provat.

Ndërsa Edlira Naqellari, drejtoresha e prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, e njohur si një person pranë Ramës dhe e emëruar në këtë post prej tij,  u largua nga ky pozicion vetëm 8 ditë më parë.

Të gjitha këto përbëjnë këmbana të forta alarmi për dekonsiprimin e operacionit, nëpërmjet të cilit përgjegjësia për milionat e vjedhura të mos mbërrijë në nivelet më të larta të qeverisë.

Kjo është e pafalshme!

Sepse nuk ka shqiptar që të mos dijë se një operacion korruptiv të këtyre përmasave, nuk mund të ndodhte pa përfshirjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme Plarent Ndreca, një operacion korruptiv i këtyre përmasave nuk mund të ndodhte pa përfshirjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, një operacion korruptiv i këtyre përmasave nuk mund të ndodhte pa përfshirjen e Edi Ramës.

Goditja e kësaj afere nuk mund të konsiderohet e plotë, nëse drejtësia nuk troket te dera e Plarent Ndrecës, Sandër Lleshaj dhe Edi Ramës.

Kthimi i Shqipërisë në një shtet të kapur nga korrupsioni, sikurse dëshmojnë raportet e shumta ndërkombëtare, ka vetëm një përgjegjës. Shqiptarët që varfërohen përditë nga ky regjim i korruptuar e dinë se përgjegjësi i vetëm është Edi Rama.

Shqiptarët e dinë që peshku qelbet nga koka!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!