Arrestimet dhe gjobat për thyerjen e karantinës në Mbretërinë e Bashkuar kanë prekur më tepër njerëzit me ngjyrë, sipas një analize të publikuar të mërkurën.
Ndërsa 12% e popullsisë në Londër është me ngjyrë sipas statistikave kombëtare të vitit 2018 të referuara në raport, 26% e dënimeve mbi shkeljen e karantinës ishin për personat me ngjyrë dhe 31% e arrestimeve ishin përsëri për njerëzit me ngjyrë.
Raporti i policisë pranon se ka “disa ndryshime në zbatimin e ligjit lidhur me Covid-19 në lidhje me gjininë, moshën dhe racën, kur krahasohet me popullatën rezidente.”
“Krimi gjithashtu nuk është proporcional, me krime të ndryshme që prekin grupe të ndryshme, shkaqet kryesore janë komplekse,” shton raporti.
“Në mënyrë tragjike, krimi dhe dhuna në kryeqytet prekin në mënyrë disproporcionale djemtë dhe të rinjtë, veçanërisht ata me origjinë afrikane, si në aspektin e viktimave, ashtu edhe të autorëve.
Përgjatë bllokimit të Covid-19, policia ka vazhduar të prioritizojë veprimtarinë e saj policore kundër krimit të dhunshëm dhe të mbrojë komunitetet më të prekura prej tij.
Më shumë se 70% e gjobave u janë vënë të rinjve midis moshës 18 dhe 34 vjeç, dhe pothuajse të gjitha gjobat dhe arrestimet kanë qenë për gjininë mashkullore.
Kishte gjithsej 973 njoftime për ndëshkime ndërmjet 27 Marsit dhe 14 Majit në Londër, gjithashtu 711 arrestime për shkelje të legjislacionit të koronavirusit./abcnews.al