Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë deklaron se po përgatitet aktakuza kundër Nasim Haradinajt, i cili pak ditë më parë u arrestua në Prishtinë dhe u dërgua në paraburgim në Hagë, ku doli sot para trupës.
Përfaqësues nga Zyra e Prokurorit të Specializuar thanë se janë duke mbledhur provat kundër Haradinajt për të ngritur aktakuzë. Zyra e Prokurorit të Specializuar deklaroi se “shumë dëshmitarë janë ndjerë të frikësuar me publikimin e dosjeve nga OVL e UÇK-së”.
“Sa i përket kërkesës për aktakuzë ju përcjell se ZKS-ja, po punon që sa më shpejt të dorëzohet një aktakuzë kundër z.Haradinaj në kohë sa më të shkurtër. Ka disa hapa hetimor që po ndërmerr zyra jonë për momentin për të siguruar të dorëzohet aktakuza së bashku me të gjitha materialet mbështetëse për të krijuar një dosje të plotë”.
Po ashtu u theksua se kjo zyrë është në procesin e mbledhjes së informacionit të shumta që i janë përcjellë. “Ata ndjehen të kërcënuar dhe të frikësuar për shkak të arsyeve që janë përmendur në arrestimin e Haradinaj” tha përfaqësuesja nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar.
Ajo shtoi se në ngritje të aktakuzës kërkohen edhe dokumente nga palët e treta dhe duhet të merren masa për të bërë transkriptimin dhe përkthimin e provave që janë me audio dhe video./ db/Abcnews.al