Historia e shqiptarit më të famshëm në Greqi, Alket Rizait do të jetë tashmë në film. Së shpejti një regjisor francez, do të nisë xhirimet me skenarin e shkruar po prej tij, dhe përjashtim nuk bën as Ballshi, vendlindja e shqiptarit Rizai.
I njohur për arratisjet e tij spektakolare me helikopter dy herë nga burgjet e sigurisë së lartë, madje një herë nga Koridhalosi, Alket Rizai ka marrë vëmendjen e të gjitha mediave, si në Greqi, në Shqipëri, por jo vetëm.
Alket Rizai konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm në Greqi. Në vitin 2006 dhe 2009, ai në bashkëpunim me kriminelë të njohur grekë, arriti të arratisej nga burgu i sigurisë së lartë në vendin fqinj, ai i Koridhalosit, duke përdorur helikopter.
Arratisja e parë e stilit hollivudian ndodhi më 4 qershor të vitit 2006, e ideuar nga Nikos Paleokostas, vëllai i një krimineli me famë, Vasilis Paleokostas.
Alket Rizai ka lindur në Ballsh të Mallakastrës, ku ka jetuar deri në fund të viteve ’90 dhe më pas emigroi në Greqi. Në Greqi ai u dënua për vrasjen e një qytetari grek, sipërmarrësin Thanasi Koropiotis, për të cilin dyshonte se kishte lidhje me të dashurën e tij ruse, Oksana.
Kush është Alket Rizai?
Alket Rizai ka lindur me 24 maj 1978 ne Ballsh. Në moshën 16 vjeçare u largua për në Greqi për të punuar. Është bërë i njohur si shqiptari që është arratisur dy herë nga burgjet greke me helikopter. Ai ishte më i vogli i tre djemve dhe ka qenë një fëmijë i bindur. Kishte një pasion të veçantë, të cilin ndoshta mund ta shndërronte në profesion nëse e ardhmja e tij do të ishte ndryshe: elektronikën.
I zbërthente pajisjet elektronike dhe i montonte sërish që në moshën 10-vjeçare. Vitet e para të fëmijërisë Alketi i kaloi në fshatin Kalenjë, te dajat e tij. Gjashtë vjeç është kthyer në qytetin e lindjes për të nisur klasën e parë. Shkollën e mesme nuk e ka përfunduar, është larguar për në Greqi. Alketi përveç gjuhës shqipe flet 5 gjuhë të huaja.
Pas arratisjes nga burgu në vitin 2006, Alket Rizai dhe Nikos Palekostas u kapën shpejt, por Vassilis u zotua që do e vazhdonte historinë e tij të krimeve. Më 9 qershor 2008, ai rrëmbeu George Mylonas, një miliarder- manjat alumini, që kishte zemëruar të varfrit në vend duke deklaruar se “punëtorët duhet të shtrëngojnë rripat”. Por Mylonas tha për rrëmbyesit e tij: “Ishin të sjellshëm dhe më trajtuan mirë”, ndërsa shuma që kërkohej për lirimin e tij ishte 12 milionë euro.
Në fakt autoritetet greke arritën që ta gjurmojnë Paleokostas në shtëpinë ku mbahej Mylonas. Atje, më 2 gusht 2008, ndërkohë që i arratisuri po pinte një gotë me alkool dhe po bëhej gati që të shihte diçka në DVD, një skuadër e forcave speciale hyri me forcë duke shkatërruar derën.
Policia gjeti një kopje të filmit të Al Pacino, “Heat”, që tregon historinë e dy veteranëve në vjedhjen e bankave, që shmangin policinë. Ai kishte qenë 791 ditë në arrati kur u kap dhe policët ishin të lumtur.
“Kapja e shpejtë e Vassilis Paleokostas, një nga kriminelët më famëkeq në vend, është një shtysë e nevojshme për moralin dhe imazhin publik të policisë greke,” thuhej në një kabllo të konsullatës amerikane në Selanik për Sekretarin e Shtetit në Washington, publikuar më vonë nga Wikileaks.
Nuk dihet se si i shpenzonte Paleokostas paratë e marra, por në një seancë gjyqësore ndaj tij në vitin 2009 në Athinë, ku u ngritën akuza të reja për rrëmbim dhe grabitje, një turmë u mblodh jashtë gjykatës.
Një grup me vajza të reja pushtuan sallën e gjyqit, duke u sjellë si një klub fansash të një idhulli të muzikës pop, siç do shkruante më vonë një gazetë tabloide. Në këtë kohë, e dashura magjepsëse e Alket Rizait, Soula Mitropia, bëri bujë në sallën e gjyqit.
Ndërkohë që Rizai kthehej në gjykatë për t’u dënuar me 25 vite, ajo në mënyrë teatrale nisi të dëneste dhe i hodhi krahët rreth tij. Kur askush nuk po shihte, ajo i futi një orë misterioze në xhep.
Arratisja e dytë po me helikopter:
Për rojet që po shihnin kamerat e sigurisë, ai mëngjes ishte si çdo mëngjes tjetër. Paleokostas po bënte palestër dhe Rizai po përzgjidhte fituesit në një lojë me baste. Rizai kujton: “Jam një njeri që ka intuitë. I ndjej gjërat, kur diçka e mirë do të ndodhë, e ndjej”.
Në orën 15:00, Mitropia i telefonoi në orën- celular që i kishte futur në xhep kur ishin në gjykatë. Ishte momenti. Sirena e urgjencës në burgun Korydallos nisi të vajtonte si një violinë, ndërkohë që rojet urdhëruan të burgosurit të futeshin brenda. Ishte ora 15:45, një ditë përpara se të niste gjyqi ndaj Paleokostas.
Sipër në qiell, një rojë nga kulla po ndjente zhurmën e helikave. Kur helikopteri u ul në krahun e djathtë të brugut, roja kapi automatikun dhe i ra alarmit. Nuk ishte një stërvitje, këtë herë ata duhet të qëllonin për të vrarë. Helikopteri ishte rrëmbyer nga një kompani e quajtur Interjet, që ofronte helikopterë me qira, arratisje që rezultoi e suksesshme.