Arratiset nga burgu për një fundjavë me familjen

schedule11:13 - 27 Gusht, 2019

schedule 11:13 - 27 Gusht, 2019

Arriti të arratisej nga burgu, por u dorëzua sërish dhe të gjithë këtë e bëri pasi donte të kalonte një fundjavë me familjen.

Është kjo historia e një 37-vjeçari të dënuar për vjedhje në Britani. Mediat shkruajnë se Steven Jones, eci rreth 160 kilometra që të shkonte të takonte familjen e tij. Ai është dënuar me 40 muaj burg, por me veprimin që bëri iu shtuan edhe 28 ditë të tjera.

Arratisja e të riut u kuptua kur ai nuk u shfaq në vendin e punës brenda burgut më 17 Korrik. Por kishte një arsye të madhe pse Jones kishte ikur.

Sipas hetuesve, ai është kujdestari parësor për katër vajzat. Jones ishte mërzitur pasi i ishte refuzuar vazhdimisht leja për të vizituar vajzat dhe kështu kishte kaluar perimetrin e burgut dhe eci deri në Cheltenham. Ai kaloi fundjavën me fëmijët dhe u dorëzua të dielën.

“Shkoi në stacionin policor të Gloucestershire për t’u vetëdorëzuar, por godina ishte mbyllur. Më pas ndaloi një makinë policie dhe u tha oficerëve në shërbim se ishte “njeri në kërkim”. Më pas u arrestua dhe u dërgua për t’u marrë në pyetje”, tha prokurorja Janine Wood.

Megjithatë për shkak të veprimit, Jones-it iu shtua afërsisht edhe një muaj tjetër dënimi.

“E kuptoj arsyen pse e bëre”, tha gjykatësi, i cili shtoi edhe 28 ditë të tjera heqje lirie për të./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!