Senatori Cruz – i cili dikur synonte presidencën në vend që të kujdesej për votuesit e tij, duke i ngushëlluar apo bashkëpunuar për planin e emergjencës, të mërkurën mendoi të merrte një avion për Kankun, me bashkëshorten, fëmijët dhe disa miq.
Por u fotografua në aeroport, dhe fotografia e tij me një xhaketë të lehtë gati për të shijuar diellin dhe tekila, bëri xhiron e të gjithë Amerikës. Pikërisht kjo fotografi e tij indinjoi zgjedhës republikanë dhe demokratë të cilët tashmë kërkojnë dorëheqjen e tij.
Nuk mjaftoi fakti që u kthye shumë shpejt duke u justifikuar por dhe duke gënjyer: Udhëtimi ishte planifikuar prej kohësh, tha ai në fillim.
Deri sa dikush publikoi mesazhet e bashkëshortes së tij drejtuar miqve dhe të afërmeve duke i thënë se kishte gjetur një hotel në Meksikë, që kushtonte vetëm 309 dollarë nata.
Ajo ishte e shqetësuar vetëm për qenin që e lanë në shtëpinë e ftohtë, vetëm. Senatori Cruz u shpreh për gazetaren e Fox News se ishte shumë ftohtë, vajzat e tij nuk shkonin në shkollë dhe duhej ta bëja për ato, të isha një baba i mirë.
Ndërsa shumë votues të tij përballeshin me të ftohtin dhe errësirën.
Më pas senatori u shpreh se ishte një budallallëk dhe se nuk do e ribënte. Ndërsa miqtë e tij të partisë shprehen se ai ka shkelur një nga rregullat kryesorë të politikës: të jesh i pranishëm në moment krize. Në fakt tashmë Cruz i rrezikohet karriera, duke filluar që nga zgjedhjet në 2024./abcnews.al