Në armët e autorit të masakrës në Zelandën e Re ishin shkruar emra personalitetesh të ndryshme, ndër të cilët figuron dhe ai i heroit tonë kombëtar Skënderbeu, por dhe ai i Gjergj Arianitit.
Në fotografitë e publikuara nga mediat kosovare të armëve të autorit të masakrës në Zelandën e re, lexohen qartësisht dhe emrat që 28-vjecari Brenton Tarrant kishte shkruar. Indeksonline raporton se në mesin e shumë emrave të shkruar në armë, shihet edhe ai i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Përveç emrit të tij janë dhe ata të shkruar në germa cirilike të Marko Milajnov, Stefan Lazar dhe Milos Obiliç. Këta janë emrat e Dukës së Malit të Zi dhe princit serb, i njohur si ‘Car Lazari’.
Më tej, thuhet se në momentet e para të filmimit të publikuar nga ai vetë pak para sulmit në sfond dëgjohen këngë serbe nga kasetofoni i automjetit të tij. Sipas mediave kosovare dëgjohet një këngë serbe e viteve ‘90 për ish-liderin serb të Bosnjës, Radovan Karagjiç i njohur edhe si “kasapi i Bosnjës”, i cili është dënuar për krime lufte.
Në këngë ndër të tjera thuhet: Karaxhiç udhëhiq serbët e tu. Në armë shkruhej gjithashtu ‘Serbia ime’. Kjo armë, nga e cila humbën jetën 50 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë ishte e mbuluar me emra të personaliteteve të njohura shqiptare dhe botërore.
Përveç emrit të heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Car Llazarit e disa të tjerëve, në të bie në sy edhe emri i Gjergj Arianitit. Gjergj Arianiti ishte vjehrri i Skënderbeut, babai i Donika Kastriotit. Gjergj Arianiti ishte një luftëtar i shquar i kohës./abcnews.al