Njoftimi për një armëpushim dyjavor midis SHBA-së dhe Iranit ka shkaktuar reagime të menjëhershme në tregjet financiare globale. Ndërsa asetet kripto dhe indekset e aksioneve shënuan rritje të konsiderueshme, çmimet e naftës ranë ndjeshëm. Marrëveshja shënon një lehtësim të përkohshëm të tensioneve në një konflikt që kishte rënduar tregjet për javë të tëra.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të martën se do të “pezullonte bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh”. Irani e përshkroi marrëveshjen si një “armëpushim dypalësh” dhe sinjalizoi gatishmërinë për të nisur negociata. Teherani kishte paraqitur më parë një propozim me dhjetë pika, të cilin Trump e cilësoi si një “bazë të zbatueshme” për bisedime të mëtejshme.
Bitcoin reagoi menjëherë ndaj lajmit. Çmimi u rrit me rreth 5% brenda një ore nga njoftimi, duke arritur një maksimum ditor prej 72.753 dollarësh. Kjo ishte hera e parë që nga 18 marsi që Bitcoin tregtohej mbi nivelin 72.000 dollarë, megjithatë, më vonë gjatë natës drejt të mërkurës, çmimi ra paksa sërish nën këtë nivel.
Tregjet globale të aksioneve gjithashtu u rritën ndjeshëm, me Euro Stoxx 50 që u rrit me 5.5% S&P 500 u rrit me 2.5%. Indeksi i dollarit Bloomberg ra me 0.8% dhe Euro u rrit me 0.7% në 1.1679 dollarë.
Ndërkohë, ari u rrit me 2.1% në 4,803.89 dollarë për ons dhe nafta bruto e Teksasit ra me 15% në 96.21 dollarë për fuçi.
Një provë kyçe për investitorët do të jetë nëse rrjedhat e naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit do të vazhdojnë pa ndërprerje. Kalimi i sigurt përmes kësaj rruge ujore do të jetë i mundur përmes koordinimit me forcat e armatosura të Iranit dhe duke marrë parasysh “kufizimet teknike”, sipas ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një postim në X.
Pronarët e anijeve po përpiqen të kuptojnë detajet e marrëveshjes së armëpushimit, duke shpresuar të përfitojnë nga një dritare e mundshme për të nxjerrë më shumë se 800 anije të bllokuara në Gjirin Persik.


