Të mërkurën, negociatorët po përpiqen të finalizojnë detajet e fundit të një marrëveshjeje të ndërlikuar armëpushimi në Gazë, pas bisedimeve maratonë në Katar që synojnë t’i japin fund konfliktit që ka shkaktuar vdekje dhe shkatërrime masive dhe ka tronditur Lindjen e Mesme.
Bisedimet e gjata, më shumë se tetë orëshe, kishin nxitur optimizëm në Doha të martën. Zyrtarë nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja, si dhe nga Izraeli dhe Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – thanë se një marrëveshje për një armëpushim në enklavën palestineze dhe për lirimin e pengjeve ishte më afër se kurrë.
Por, një zyrtar i lartë i Hamasit i tha Reuters të martën vonë se grupi palestinez ende nuk kishte dorëzuar përgjigje sepse po priste që Izraeli të dorëzonte hartat që tregojnë se si forcat e tij do të tërhiqeshin nga Gaza.
Gjatë bisedimeve disamujore të ndërprera për të arritur një armëpushim në luftën tashmë 15-mujore, të dyja palët kanë thënë edhe më parë se ishin afër një marrëveshjeje vetëm për të hasur në pengesa në minutën e fundit. Pikat e përgjithshme të marrëveshjes aktuale janë vendosur që në mes të vitit 2024.
Nëse ka sukses, armëpushimi i planifikuar me faza mund të ndalojë luftimet që kanë shkatërruar Gazën, kanë vrarë dhjetëra mijëra palestinezë, kanë zhvendosur pjesën më të madhe të popullsisë 2.3 milionëshe të para luftës dhe vazhdojnë të vrasin dhjetëra njerëz çdo ditë.
Kjo marrëveshje, nga ana tjetër, mund të zbusë edhe tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme, ku lufta ka nxitur konflikte në Bregun Perëndimor, Liban, Siri, Jemen dhe Irak, dhe ka rritur frikën për një luftë të përgjithshme midis Izraelit dhe Iranit.