Armenia ka thënë se gjashtë ushtarë të saj janë vrarë në përleshjet kufitare me Azerbajxhanin, më herët gjatë javës.
Ky njëherësh ka qenë konflikti më i rëndë prej luftës 44-ditore, në të cilën janë përfshirë këto dy shtete vitin e kaluar për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Azerbajxhani ka thënë se shtatë ushtarë të saj janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur në luftimet e 16 nëntorit, për të cilat palët fajësojnë njëra-tjetrën.
Në një deklaratë të lëshuar më 19 nëntor, Ministria armene e Mbrojtjes ka bërë të ditur emrat e personave të vrarë.
“Është duke u bërë punë intensive me ndërmjetësim dhe pjesëmarrje të Rusisë për të riatdhesuar ushtarët që janë dërguar në burgje apo janë zhdukur si rezultat i luftimeve”, është thënë më 19 nëntor, duke shtuar se situata në kufi mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ka qenë “relativisht stabile” në mëngjes.
Pas përleshjeve të 16 nëntorit, Jerevani dhe Baku-ja janë pajtuar për të ndalur armiqësitë në zonën kufitare.
Dhuna ka rikthyer thirrjet ndërkombëtare që dy fqinjët të demarkojnë kufirin e periudhës sovjetike.
Armenia dhe Azerbajxhani, me ndërmjetësim të Rusisë janë pajtuar për arritje të armëpushimit më 2020, pas luftës së zhvilluar për gjashtë javë në vjeshtën e po atij viti për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Ky rajon është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.
Rreth 6,000 njerëz janë vrarë në luftimet e vitit të kaluar, që kanë përfunduar me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska.
Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno-Karabakut dhe të shtatë rrethet përreth tij janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene./REL