Armenia në krizë politike, pas marrëveshjes për armëpushim me Azerbajxhanin

schedule13:54 - 10 Nëntor, 2020

schedule 13:54 - 10 Nëntor, 2020

Armenia është përfshirë nga një krizë politike, pasi grupet opozitare po i bëjnë thirrje kryeministrit, Nikol Pashinian, që të japë dorëheqjen, pas zemërimit si rezultat i marrëveshjes së arritur me Azerbajxhanin, të ndërmjetësuar nga Rusia, për t’i  dhënë fund luftimeve në rajonin e Nagorno-Karabak.

Në skenat kaotike të kryeqytetit të martën në Jerevan, qindra mbështetës opozitarë kanë hyrë në selinë e qeverisë dhe parlamentit, duke thyer xhamat në shenjë proteste.

Kryetari i parlamentit, Ararat Mirzoyan është plagosur dhe është dërguar në spital.

Zyra e presidentit të Armenisë, Armen Sarkisian ka thënë se do të nisë “konsultime politike” për të krijuar unitet politik dhe “për të koordinuar zgjidhjet që dalin nga agjenda jonë për mbrojtje të interesave kombëtare”.

Sarkisian ka thënë përmes një deklarate se ka mësuar për marrëveshjen  përmes mediave.

“Fatkeqësisht, nuk ka pasur konsultime apo diskutime me mua, si presidenti i republikës unë nuk isha pjesë e negociatave”, ka thënë ai, duke insistuar se nënshkrimi i një dokumenti kaq të rëndësishëm do të duhej të bëhej subjekt i “konsultimeve dhe diskutimeve kuptimplota”.

Protestuesit janë mbledhur pasi kryeministri armen, Nikol Pashinian ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Rusia, për t’iu dhënë fund gjashtë javëve luftime me Azerbajxhanin.

Pakënaqësitë e protestuesve kanë ardhur pasi 17 parti opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e Pashinianit, duke përmendur humbjet ushtarake kundër forcave armene.

Marrëveshja trepalëshe ka ardhur pasi Azerbajxhani ka fituar kontrollin e një pjese të madhe të territorit, për të cilin ekziston konflikti për dekada.

Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani mund të zotërojë rajonet që tashmë kontrollon, ndërsa u është bërë thirrje forcave armene që të heqin dorë nga disa pjesë jashtë kufijve të Nagorno-Karabak.

Ky rajon njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por  armenët përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë atje.

Ata kanë menaxhuar vetë punët e tyre, me mbështetjen e Armenisë, që në periudhën kur trupat e Azerbajxhanit janë larguar nga ky territor, në luftën që ka përfunduar me armëpushim më 1994./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!