Armenia tha më 12 korrik se organizatave humanitare ndërkombëtare duhet t’iu lejohet qasje në rajonin e Nagorno-Karabakut, pasi Azerbajxhani ka mbyllur rrugën e vetme që mundëson lidhjen e këtij rajoni të shkëputur me Armeninë.
Nagrono-Karabakut ka qenë qendër e mospajtimeve të kamotshme territoriale mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, që kanë luftuar dy luftëra për këtë rajon malor, që kryesisht banohet nga armenët etnikë, shkruan REL.
Të martën, Azerbajxhani njoftoi se po mbyll rrugën e vetme që lidh rajonin me Armeninë, duke akuzuar palën armene dhe Kryqin e Kuq se po e përdorin këtë rrugë për kontrabandë.
Një ditë më pas, Ministria e Jashtme e Armenisë tha se ky vendim “synon të krijojë kushte të pafavorshme për jetë për banorët e Nagorno-Karabakut”.
“Është për të ardhur keq që gjatë këtyre muajve komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat humanitare ndërkombëtare nuk kanë qenë në gjendje që të sigurojnë qasje humanitare në Nagorno-Karabak”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme armene.

