Armenia dhe Azerbajxhani akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit

schedule09:29 - 23 Shtator, 2022

schedule 09:29 - 23 Shtator, 2022

Marrëdhëniet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit mbeten të tensionuara, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Konkretisht, Ministria e Mbrojtjes e Armenisë akuzoi sot forcat e armatosura të Azerbajxhanit se qëlluan ndaj mbrojtësve armene në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit.

Pas dy ditësh luftimesh në të cilat u vranë rreth 200 ushtarë, të dy vendet ranë dakord javën e kaluar për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund armiqësive, megjithëse tensionet në kufi mbetën të larta.

“Më 23 shtator, në orën 07:40, njësitë e forcave të armatosura të Azerbajxhanit shkelën sërish regjimin e armëpushimit duke qëlluar nga pozicione të ndryshme kundër pozicioneve luftarake armene të vendosura në pjesën lindore të kufirit Armeni-Azerbajxhan”, thuhet në një postim në Facebook nga ministria.

Jerevani shtoi se iu përgjigj zjarrit, ndërsa vuri në dukje se nuk kishte viktima në mesin e forcave të tij. Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit njoftoi se forcat armene hapën zjarr, duke bombarduar tre zona në kufi.

Baku njoftoi se forcat e armatosura armene bombarduam  tre zona në kufi. Forcat e armatosura të Azerbajxhanit njoftuan në Telegram se kishin marrë “masa adekuate hakmarrëse”.

Në fillim të kësaj jave, Baku akuzoi Jerevanin për organizimin e “provokimeve” përgjatë  kufirit duke qëlluar  me mortaja dhe granata ndaj forcave të tij.

Të dy vendet kanë qenë në konflikt për disa dekada për enklavën e Nagorno-Karabakut, e cila historikisht është e populluar nga armenë, por ishte pjesë e Azerbajxhanit gjatë epokës sovjetike. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, të dy vendet u përfshinë në dy luftëra, në vitet 1990 (më shumë se 30,000 të vdekur) dhe në 2020 (6,500 të vdekur).

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!