Armela Krasniqi: Detyra e medias është edukimi dhe mbrojtja e fëmijëve, AMA po monitoron

schedule13:48 - 13 Tetor, 2021

schedule 13:48 - 13 Tetor, 2021

Në Tiranë u mbajt Konferenca Ndërkombëtare me temë Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive”, organizuar nga Autoritet i Mediave Audiovizive.

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi në fjalën e saj garantoi se AMA do të vijojë monitorimin e rregullt dhe të rreptë për zbatimin e dispozitave që rrjedhin nga Kodi i Transmetimit dhe forcimin e penaliteteve për OSHMA-të që shkelin dispozitat e këtij kodi për mbrojtjen e fëmijëve.

“Kontributi për mbrojtjen e fëmijëve është kontributi më thelbësor që mund të jepet për një shoqëri dhe të ardhmen e saj. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ndikimi i mediave audiovizive tek fëmijët mund të çojë në sjellje agresive, mund të trembë fëmijët, mund të ofrojë heronj të dhunshëm për të imituar dhe mbi të gjitha shpesh krijon bindjen se tregon se dhuna është normë shoqërore. Në një kohë kur zhvillimi teknologjik po na përball me sfida shumëdimensionale, detyra e medias është mbi të gjitha mbrojtja e interesave më të larta shoqërore përmes edukimit dhe mbrojtjes së fëmijëve”, nënvizoi Krasniqi.

Kryetarja e AMA-s Krasniqi bëri të ditur se në bazë të strategjisë së AMA-s për vitin 2021-2023 do të rishikohet Kodi i Transmetimit.

“Rishikimi do kryhet nga AMA në konsultim të gjerë me të gjithë aktorët relevantë në këtë fushë. Unë edhe dje shfrytëzova mundësinë nga Konferenca e OSBE dhe po e përsëris edhe sot, apelin për sa më shumë kontribut dhe gjithëpërfshirje në rishikimin e këtij Kodi, pasi besoj se shumësia e ideve bën një Kod që i shërben dhe prek e mbulon shumë komponentë të kohës që jetojmë. Pranë AMA-s, prej muajit prill 2016, funksionon Këshilli i Ankesave. Që nga nisja e punës e deri më sot Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar mbi 570 të tilla. 178 prej të cilave kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve”, – bëri të ditur znj. Krasniqi.

Në këtë konferencë morën pjesë gjithashtu Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro ,ekspertë nga Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania si dhe profesorë e ekspertë të fushës nga vendi dhe rajoni.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro deklaroi se “e drejta për të shprehur lirshëm opinionet, sidomos ato të fëmijëve thekson edhe njëherë rëndësinë se sa e rëndësishme është të mbrojmë të drejtat e njeriut.

Duke përgëzuar AMA-n për organizimin e konferencës Ribeiro tha se “sapo kam përfunduar konferencën mediatike për Evropën Juglindore, e cila u mirëprit këtë vit në Tiran. Kjo konferencë për gazetarinë në këtë kohë krizash shërben për të shpjeguar se sa e rëndësishme është gazetaria për publikun dhe si një shtyllë kryesore e shoqërisë tonë demokratike, në këtë konferencë u dhanë mundësi shumë të rëndësishme për të folur për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në rajon”.

Drejtori i Përgjithshëm i PA Media Group në Mbretërinë e Bashkuar, Clive Marshall theksoi “na duhet një kuadër i mirë ligjor për të parashikuar të gjitha rregullat, dispozitat dhe sanksionet në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve”.

Në fjalën e tij Marshall tha se “kontrolli prindëror mundet të ketë akses në programe në mënyrë që të vëzhgojë se çfarë shohin fëmijët, të filtrojë përmbajtjen e atyre që mund të aksesojnë fëmijët”.

“Është detyra jonë si prindër për të kuptuar se çfarë bëjnë fëmijët për të vendosur barriera në mënyrë që të kenë një akses sa më të kontrolluar në përmbajtjen e internetit”, tha Marshall.

Drejtori Ekzekutiv i KSF në Gjermani, Stefan Linz u fokusua në kuadrin ligjor me të cilin punohet në Gjermani dhe mënyrën praktike sesi klasifikohet përmbajtja audio-vizuale.

“Në Gjermani kemi një autoritet vetëkontrollues të filmave. Për momentin po klasifikojmë 11 mijë përmbajtje audio-vizuale në vit nga filmat, trailerat, videot e shkurtra, të gjitha që publikohen. Të gjitha përmbajtjet që publikohen në media dhe përmbajtja që shfaqet në internet, klasifikohen gjithnjë e më shumë. Çfarë publikohet në kanalet televizive, në Amazon dhenë të gjitha studiot që prodhojnë, dorëzojnë përmbajtjen për klasifikim nga ana jonë”, u shpreh Linz.

Themeluesi dhe drejtor i Wagner-Hatfield (Belgium) Jean-François Furnémont në fjalën e tij theksoi nevojën e marrjes së masave të për të mbrojtur të miturit.

“Ne e dimë të gjithë që balancimi i nevojës për të mbrojtur audiencën me detyrën për të mbrojtur të drejtën dhe lirinë e fjalës ka qenë një nga parimet themelore të rregullatorëve të mediave dhe veçanërisht në fushën e mbrojtjes së të miturve. Shqetësimi ka qenë prezent në të gjithë mjedisin e medias me të gjitha masat rregullatore dhe të mbrojtjes dhe tashmë është rritur kjo panoramë e medias me të gjithë mediat sociale dhe daljen e platformave të reja dixhitale, me të gjitha këto ndryshime radikale, mënyrat e reja sesi fëmijët mund të ekspozohen ndaj përmbajtjeve potencialisht të rrezikshme dhe llojet e reja të rreziqeve potenciale”, – nënvizoi Furnémont .

Në këtë konferencë referojnë ekspertë vendas dhe të rajonit të cilët po ndajnë eksperiencat e tyre në këtë fushë tejet të rëndësishme për shëndetin jo vetëm të fëmijëve por të shoqërisë. Kjo konference është si një vlerë e shtuar dhe një moment i mirë reflektimi për të gjithë aktorët e përfshirë, mediat, shoqërinë dhe komunitetin, mbi rolin e tyre në edukimin e të miturve./ Abcnews.al