Armatimet luftarake në Tiranë, si u zbuluan tre ngjarje kriminale nga dëshmia e Enver Jamakut

schedule15:03 - 1 Prill, 2021

schedule 15:03 - 1 Prill, 2021

18 baza ku magazinoheshin dhe modifikoheshin armatime të ndryshme luftarake nga grupe të rrezikshme, janë zbuluar nga Policia e Tiranës. Janë arrestuar 5 persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Të arrestuar nga operacioni i koduar “Kompleks” janë Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi dhe Arben Sufa. Ndërsa në kërkim janë shpallur Akil Kulla dhe Sokol Xhura, ky i fundit i larguar jashtë vendit pak javë më parë.

Siç raporton gazetarja Xhensila Kodra Dëshmia e Enver Jamakut, i arrestuar disa javë më parë si autor i tritolvënies në makinen e Gjon Menës në Kamëz, ndihmoi hetuesit që të zbardhnin edhe tre ngjarje të tjera kriminale, ku ai dhe kushëriri Ermond Jamaku kanë qenë të përfshirë.

Policia ka dyshime se tre të ndaluarit, Prenga, Deda dhe Abazi në bashkëpunim edhe me dy kushërinjtë Enver dhe Ermond Jamaku janë autorë të tentativës së vrasjes me eksploziv të telekomanduar në makinën e Artian Bylyku, kunatit të Domart Konjarit. Ngjarje kjo e ndodhur më 18 tetor të 2019-ës në Tiranë.

Lexo edhe: Aksioni i RENEA-s, Rebani Jaupi: Shkon në pesë numri i të arrestuarve, si u zbulua arsenali i armëve në Tiranë

Dy kushurinjtë Jamaku, së bashku me të shpallurin në kërkim Sokol Xhura dyshohet të jenë autorë të sulmit me armë ndaj avokatit Paulin Papleka, ngjarje e ndodhur më 10 shtator të 2017-ës, në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë.

Gjithashtu, të arrestuarit dyshohet se janë autorë edhe të vendosjes së eksplozivit, granatës dhe armës së zjarrit, si dhe të një sasie heroine në banesën e Edmond Saraçi. Ky i fundit u arrestua më 15 shtator 2017 në Tiranë, si një autorët e sulmit të avokatit Papleka.

Detajet e operacionit i dha në një konferencë për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi.

Gjatë operacionit u shoqëruan më shumë se sa 30 persona për t’u marrë në pyetje, mes tyre edhe familjarë të të arrestuarve, ku edhe u sekuestrua baza e armatimit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!