Armand Shkullaku: Media po humbet besimin e publikut

schedule08:00 - 11 Nëntor, 2021

schedule 08:00 - 11 Nëntor, 2021

Gazetari  dhe drejtuesi i disa mediave në Shqipëri, Armand Shkullaku ka qenë  shumë kritik me kolegët e profesionit të tij, të cilët, sipas tij, me heshtjen e qëndrimeve kritike kanë kontribuar që demokracia përfaqësuese të degradojë në duart e një personi të vetëm. “Demokracia përfaqësuese ka ardhur duke zgjeruar krizën e saj, pasi mungon autoriteti i institucioneve të ndërmjetme, si sindikata apo shoqëria civile. Dhe bashkë me mungesat e tyre, mungesa e zërit kritik të medias e ka bërë demokracinë sot më pak të besueshme. Interesat e qytetarëve janë më pak të mbrojtura. Kjo ka zhdukur edhe zërat e ndryshëm brenda formacioneve politike, që janë kthyer në shtojca të një njeriu, që është kryetari. P.sh, po të marrim në analizë partinë në pushtet, kuptohet menjëherë që gjithçka drejtohet vetëm nga një njeri.

Ministrat, drejtuesit e qarqeve, drejtorë të ndryshëm, japin llogari vetëm te një njeri,  që është kryeministri. Kjo ka çuar në degradimin e mëtejshëm të demokracisë përfaqësuese. Këtu media mban përgjegjësinë e vet që nuk po përpiqet të ndalojë shkërmoqjen e demokracisë përfaqësuese, që pushteti të mos përfundojë në duart e një njeriu. Unë mendoj se media e ka humbur prej kohësh fuqinë e pushtetit të katërt dhe besoj se, me këtë mungesë të fuqisë së saj si ndërmjetëse me interesin publik, ka humbur misionin e saj”, tha Shkullaku në “Refleksione” në ABC.

Sipas tij, nuk ka asnjë evend të rëndësishëm që nuk kemi transmetim të përgatitur nga zyrat qeveritare apo të politikës, një hap ky që ka shmangur qëndrimet që duhet të kenë gazetarët lidhur me atë që sugjerohet nga qeveria për publikun. “Fatkeqësisht shumë media, ashtu si shumë biznese, me një treg të kontrolluar, janë më sytë nga qeveria, ndaj dhe gazetarët duket se i janë përshtatur kësaj varësie. Për këtë arsye ne kemi gjithnjë e më pak investigime, reportazhe, apo debate me fakte, që nuk i konvenjojnë qeverisë. Kjo shpjegon se përse ka uri për shkrimet investigative si të rrjetit BIRN, p.sh, që lexohen më së pari nga vetë gazetarët, pasi mungojnë në mediat tona. Kjo shpjegon ndikimin e fortë që ka qeveria në tregun ekonomik-mediatik”, tha Shkullaku.

Ai i është bashkuar qëndrimit të kolegut të tij, Blendi Fevziu, i cili mbrojti idenë se, është më mirë të kemi një media që e ekzagjeron se sa një media që është e censuruar. “Nuk kemi asnjë dilemë, se mes fjalës së ekzagjeruar dhe fjalës së ndaluar, ne zgjedhim të parën”, tha Shkullaku në “Refleksione” në ABC.  Por, ai konsideroi si një problem lidhur me informimin kalimin e mediave sot si përçuese të materialeve që përgatiten në zyrat e qeverisë apo të politikanëve pa asnjë lloj filtri për të vërtetën e asaj që thuhet. Sipas tij, nuk ekziston më as kritika për median nga vetë gazetarët, të cilët kanë humbur rolin e mediumit për atë që i serviret qytetarëve, pasi media është ndarë përmes parecaleva dhe askush nuk kritikon më nga ana profesionale  kolegët. Fatkeqësisht, sipas Shkullakut, është zhdukur nervi kritik dhe nervi i vlerësimit. “Gazetarët nuk kanë më asnjë masë të vlerësimit të profesionalizmit dhe të fuqisë së medias.

Kjo ka pasoja jo vetëm për gazetarët për gjithë shoqërinë se si komportohet me të vërtetën”, tha Shkullaku, duke i bërë kolegëve të medias që të mos heqin dorë nga rregullat bazë të gazetarisë për të qenë e besuershme dhe autoritare. Ai analizoi edhe qëndrimeve të ”profetëve” të rinj të medias, të cilët nuk funksionojnë më me dy burime për lajmin, apo që nuk preferojnë përgënjeshtrimin e asaj që kanë thënë gabim brenda të njëjtës ditë. ”Ajo që shikojmë sot, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën, është se rreth 70 për qind e ”fake neës”merren për të vërteta, pasi koha për verifikim është e pamjaftueshme nga ndjekësit”, tha Shkullaku./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!