Armand Duka për Partizanin: E meritoi plotësisht

schedule22:30 - 26 Maj, 2019

schedule 22:30 - 26 Maj, 2019

Titulli i Partizanit ishte plotësisht i merituar sepse klubi kryeqytetas këtë vit ishte i qetë me vetveten. Ky ishte komenti i presidentit të Federatës Shqiptarë të Futbollit, Armand Duka, pas dorëzimit të trofeut.

Kënaqësia duhet të ketë qenë vërtet e madhe.

Titulli i Partizanit nuk u shoqërua aspak nga akuzat dhe dyshimet thuajse të përhershme për rolin e Federatës Shqiptare të Futbollit, diçka që me siguri I ka pëlqyer kreut të saj.

Armand Duka doli i qetë nga stadiumi “Selman Stërmasi”, ku të kuqve sapo u ishte dorëzuar kupa, dhe bëri këtë vlerësim.

Duka: “Matematikisht ishte i siguruar Partizani dhe kishte ndeshje në shtëpi. Dëshira e tifozëve dhe klubit ishte që ceremonia të bëhej sot dhe nuk ishte sepse të prishej kjo festë kaq e bukur. Partizani e ka merituar këtë titull. Faktikisht urimin ia kemi bërë më parë, por zyrtarisht kupën ia kemi dorëzuar sot. E ka merituar sepse ka udhëhequr me meritë gjithë kampionatin dhe pothuajse në çdo javë ka qenë i pari në klasifikim”.  

Normal që presidenti duhej të ngacmohej për faktin se Partizani sikur ishte më i qetë ndaj Federatës këtë vit.

Duka: “Ka qenë i qetë me veten e vet, ka qenë i qetë me rezultatet. Në fakt qetësia psikologjike të ndihmon q ëtë arrish rezultatin, në rastin kur gabimin e kërkon tek vetja dhe jo tek të tjerët mendoj që korrigjon më mirë. Të gjithë e kanë merituar dhe e kam uruar dhe e komplimentoj për çfarë ka bërë Partizani në këtë garë”.

Edhe arbitrat nuk u akuzuan aq shumë këtë sezon, të paktën në luftën për kreun.

Duka: “Jo vetëm që jam në këtë pozicion, por mendoj se në çdo kohë çdo gjë shkon në vendin e vet. Çdokush merr atë që kontribuon në kampionat, aq sa luan pavarësisht se gjatë një gare me 36 javë gabimet janë të natyrshme, nga të gjithë palët, si lojtarët, trajnerët dhe arbitrat. E kam thënë gjithmonë se niveli i gjykimit dhe niveli i futbollit kanë shoqëruar njëri tjetrin. Për mua të dyja janë në rritje”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!