Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u shfaq i emocionuar, pas triumfit 2-0, që Shqipëria arriti në shtëpi ndaj Polonisë. Kuqezinjtë kanë hedhur kështu një hap të rëndësishëm drejt Europianit, ndërkohë që në prononcimin e tij për “TV KLAN”, kreu i FSHF-së deklaroi:
“Nuk ka sesi të mos lotosh në raste të tilla. Tani e tutje, Kombëtarja e ka ngritur stekën. Kur të marrin barazim në Europian do t’i shajmë. Unë gjithmonë kam thënë që çdo ndeshje, turn kualifikues, varet nga të gjithë, stafi, futbollistët. Nëse jemi të gjithë pozitivë, çunat marrin energji pozitive.
Minutat e fundit të emocionojnë. Kur e mendoj tani mbrapa, kam pasur frikë kot, ata nuk na rrezikuan asnjëherë.
Sot do t’iu vendosja më shumë se 10. Kemi humbur një ndeshje në Poloni që nuk duhet ta humbim. Sot nota 10, por duhet të kemi parasysh, që kemi edhe 3 finale, të gjitha ekipet janë të vështira. Padyshim që kemi hedhur një hap të rëndësishëm. Ne duhet të mendojmë Çekinë, të gjithë duhet të festojmë sot. Të urojmë që në tetor të na kthehen në formën më të mirë. Kemi kohë për të menduar për nëntorin. Kemi vetëm një objektiv Çekinë.
Nuk ka vend për eufori. Çekia është më i mirë se Polonia. Të gjithë Shqiptarët kanë të drejtë të festojnë. 3 herë kam qarë njësoj si Daku, në intervistën e dhënë pas ndeshjes me Çekinë. Daku ishte fantastik, edhe në Çeki edhe sot.
Shumë i lumtur, si të gjithë shqiptarët. Jemi rritur mjaftueshëm. Niveli është rritur goxha. Unë personalisht kam besim te kjo Kombëtare, që mund të luajë kundër çdo kundërshtari. Kam besim. Janë lojtarë deçizivë në skuadrat e tyre. Nivel i kënaqshëm dhe të ardhmen e kanë të sigurt”, u shpreh Duka. / h.ll/abcnews.al