Për gazetarin Armand Bajrami, Dritan Dajti ka “nënshtruar gjithë sistemin e drejtësisë”. Në emisionin “Provokacija”, gazetari është shprehur se Dajti arriti të fitojë falë një vendimi të dhënë më 8 Shkurt nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.
“Vendimi është i çuditshëm në perceptimin popullor. Kjo duhej thënë që në krye të herës se ngjarja e 7 Gushtit 2009 në Durrës pranë pistës “Iliria”, absulutisht që është një ngjarje makabër një ngjarje e përmasave të jashtëzakonshme kriminale. Kemi të bëjmë me 4 policë të vrarë në krye të detyrës. Natyrisht një ngjarje e tillë për autorin e saj meriton ndëshkim shembullor dhe maksimal. Referuar legjislacionit shqiptar është ai i burgimit të përjetshëm. Me këtë çështje, fitorja e Dritan Dajtit në vendimin e dhënë vetëm pak ditë më parë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ishte mbi bazën e legjislacionit të sistemit të drejtësisë që shteti ka.
Dritan Dajti ia doli të nënshtrojë gjithë sistemin e drejtësisë. Ai gjatë gjithë procesit nuk pati avokat mbrojtës dhe gjatë gjithë procesit shfrytëzoi boshllëqet ligjore. Duke pasur para sysh edhe begraundin e tij si një ish-student i drejtësisë ai shfrytëzoi të gjitha hapësirat e mundshme ligjore. Para gjykatës, Dritan Dajti paraqitej pa mbrojtës dhe pa mundësi financiare për të pasur mbrojtje ligjore dhe i kërkonte shtetit dhe gjykatës t’i vendoste një avokat mbrojtës. Avokati kryesisht vinte në sallën e gjyqit dhe për njëmijë e një arsye nuk pranonte ta mbronte Dajtin dhe praktikisht Dajti ishte pa mbrojtje”./abcnews.al