Banka Qendrore e Argjentinës mori vendimin për të rritur sërish normën e saj të interesit me 6% duke e çuar atë në 97%. Kjo është një përpjekje e autoriteteve financiare në Argjentinë me synimin kryesor uljen e nivelit të inflacionit që përgjatë muajit të kaluar u rrit në mbi 100%.
Ky nivel i inflacionit në Argjentinë është më i larti që nga fillimi i viteve 90 sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Banka Qendrore e Argjentinës shpreson se rritja e normës së interesit do të stimulojë investimet në monedhën e vendit.
Niveli i lartë i inflacionit në Argjentinë ka ndikuar edhe në largimin e investimeve të huaja në vend duke bërë që vlera e pesos argjentinase të shënojë një rënie të saj me 23% krahasuar me dollarin amerikan.
Situata aktuale sa i përket nivelit të inflacionit në Argjentinë ka lënë në varfëri shumicën e popullit atje pasi qytetarët po përballen çdo ditë me rritjen e kostove të jetesës.
Përveç pasojave ekonomike të luftës në Ukrainë dhe ndikimit të pandemisë, kombi i Amerikës Latine pa vitin e shkuar një rënie drastike të eksporteve të drithit si pasojë e një thatësie ekstreme që goditi vendin.
/abcnews.al