Argjentina në prag të eliminimit

schedule13:23 - 20 Qershor, 2019

schedule 13:23 - 20 Qershor, 2019

Argjentina pranë eliminimit nga Kupa e Amerikës, pavarësisht nga goli i Mesit. Dy herë kampionëve të botës i mungon një trajner i madh si dikur Karlos Bilardo.

Edhe ai është pak për një ekip të tillë. Argjentina e madhe, 14 herë kampione, është në prag të eliminimit pas barazimit me Paraguain në Kupën e Amerikës, pavarësisht se Lionel Mesi e gjeti rrugën e rrjetës.

Me vetëm 1 pikë pas dy ndeshjeve, argjentinasve të trajnerit Skaloni u duhet të fitojnë sfidën e fundit në grup me Katarin, që të mos rrezikojnë kthimin para kohe në shtëpi. Vetë kapiteni pohoi se dështimi do të ishte i paimagjinueshëm dhe shtoi se tek lojtarët rëndon dëshpërimi.

Çfarë i mungon një ekipi përfaqësues që nuk fiton prej dekadash, ndërsa yjet i ka pasur të panumërt, sidomos në fazën sulmuese?

Me shumë gjasë, kombëtarja dy herë kampione e botës ka nevojë për një “doktor” të vërtetë në stol, siç ishte Karlos Bilardo. Njeriu i mbiquajtur “antifutbolli” bëri Argjentinën kampione të botës në 1986, me Maradonën si kapiten.

Bilardo, një ithtar i trajnerit pragmatist Osvaldo Zubeldia, kishte inteligjencën, kulturën dhe forcën e duhur të karakterit për t’ia dalë.

Në 1986, ai nuk kishte në dorë një kombëtare të nivelit të vitit 1978 që doli kampione e botës me trajner Menotin, dhe me lojtarë si Filiol, Ardiles, Pasarela, Bertoni apo Kempes.

Ishte ai që nxorri Maradonën nga jeta e çoroditur në Napoli për ta bërë një kampion.

Shumëkush sot thotë se Maradona kishte shokë më të mirë skuadre se Mesi, por më e rëndësishmja është që Diego kishte Bilardon, i cili shkoi në Napoli dhe bisedoi me të, duke ndikuar që ai të kthehej në formë.

Maradona kishte shënuar vetëm 6 gola me kombëtaren në 4 vitet mes kupave të botës 1982 e 1986, madje nuk kishte qenë fare në ekip në 1983 e 1984, por në Meksikë dha paraqitjen më të mirë të të gjitha kohëve.

Bilardo ishte një intelektual i futbollit, që kishte përfunduar studimet e larta universitare për mjekësi, dhe që e la mjekësinë vetëm për futbollin.

Bilardo krijoi skemën revolucionare 3-5-2, duke shkatërruar traditën e Argjentinës, me një lojtar para mbrojtjes, dhe me mesfushë të fortë si europianet, për t’i lënë liri Maradonës.

Bilardo ishte kaq shumë trajner fitues, saqë ai nuk arriti të gëzohej pas finales së Kupës së Botës ndaj Gjermanisë Perëndimore, fituar.

Gazetarët e panë të nervozuar dhe i bënë pyetje se përse nuk lumturohej për suksesin më të madh të karrierës, dhe ai u përgjigj: “Nuk e patë, pësuam dy gola nga goditje standarde, ndërsa ishim përgatitur kaq shumë për to, përpara ndeshjes”.

Lojtarët e tij të habitur, u detyruan t’i thoshin: “Shef, po ne jemi kampionë të botës?”

Në të kundërt, Mesi është në një kombëtare ku trajnerët ndryshohen thuajse çdo vit, dhe ku lojtarët nuk përballojnë dot presionin e publikut dhe të mediave./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!