Argjentina në gjysmëfinale, kampionët e botës i falen “ruletës ruse” në Copa America

schedule13:54 - 5 Korrik, 2024

schedule 13:54 - 5 Korrik, 2024

“Magjistari” i topit nuk ishte në kulmin e tij, por sërish ia doli, me “Albiceleste”-t e Argjentinës, që i mbijetuan një gabimi të Lionel Messi në gjuajtjet e penalltive për të arritur në një tjetër gjysmëfinale të Copa America, megjithatë kampionët e botës, pavarësisht emrit të madh dhe “yjeve” në fushë, nuk mundën të fitonin pastër ndaj Ekuadorit, edhe pse kaluan të parët në epërsi.

Ishte kapiteni Lionel Messi, i cili ekzekutoi në mënyrë perfekte goditjen nga këndi në minutën e 35’-të, me mesfushorin e Liverpool, Alexis MacAllister, i cili devijoi me kokë, dhe po me kokë shënoi Lisandro Martinez i Manchester United, mirëpo Ekuadori ishte më lart se kampionët në fuqi të Amerikës Latine, dhe këtë e treguan në pjesën e dytë të çerekfinales së luajtur përpara 80 000 spektatorëve në stadiumin e Hjustonit në SHBA.

Edhe pse Ener Valensia humbi penalltinë, sërish ekuadorianët e gjetën barazimin në minutën e parë shtesë, ku autor ishte Kevin Rodrigez. Në Kupën e Amerikës nuk ka kohë shtesë, ndaj u kalua direkt te penalltitë.

Gabimin e Messi e shleu “gardiani”, Emiliano Martinez, që shkëlqeu ashtu si në Kupën e Botës, me numrin 1, të Argjentinës, i cili priti dy 11-metërsha, ndërsa Nicolas Otamendi shënoi për kualifikimin në katër më të mirët.

Ndërkaq, në gjysmëfinalen e 10 korrikut, Argjentina do të ketë përballë fituesin e çiftit, Venezuelë-Kanada, ndërsa në përballje të tjera, Uruguaji do të ndeshet me Brazilian, në një “klasike” të vërtet ameriko-latine, ndërsa Kolumbia do të përballet me Panamanë. /i.m /abcnews.al