Argjentina fiton bronzin në Kupën e Amerikës, Mesi me karton të kuq

schedule15:35 - 7 Korrik, 2019

schedule 15:35 - 7 Korrik, 2019

Lionel Mesi mori kartonin e dytë të kuq në karrierë, duke u përjashtuar në ndeshjen e Argjentinës me Kilin në Kupën e Amerikës. Kapiteni argjentinas refuzoi medaljen e bronzit dhe më pas akuzoi gjyqtarët.

Skuadra e tij fitoi, por ai nuk pati kënaqësi. Lionel Mesi u përjashtua me të kuqe në triumfin 2-1 të Argjentinës ndaj Kilit, sukses që i dha medaljen e bronzit në Kupën e Amerikës.

Ishte një ndëshkim i habitshëm nga gjyqtari Mario Diaz de Vivar, pas një acarimi jo aq të jashtëzakonshëm të kapitenit argjentinas me lojtarin e Kilit, Gari Medel.

Përshtypja e përgjithshme ishte që Medel duhej të kishte marrë të verdhë, dhe Mesi asnjë paralajmërim, por ndodhi ndryshe.

Argjentina kishte kaluar që më parë në epërsi.

Fillimisht, Kun Aguero realizoi golin e parë pas një topi të shërbyer nga Mesi.

Më pas, Paulo Dibala i Juventusit dyfishoi shifrat, veçse pranë fundit, Kili pati shpresë për të barazuar.

Arturo Vidal ekzekutoi saktë një 11-metërsh duke ngushtuar rezultatin.

Në përfundim, Mesi refuzoi të merrte medaljen e bronzit, ashtu si shokët e skuadrës, dhe reagoi ashpër para kamerave.

“Ne nuk kemi nevojë të jemi pjesë e këtij korrupsioni që hasëm në këtë turne, – tha ai, – Medel është gjithnjë me nerva, gati të kalojë kufirin, por gjithsesi, gjithçka mund të kishte përfunduar siç duhet me nga një karton të verdhë për të dy. Ka mundësi që të kenë ndikuar fjalët që unë thashë së fundmi, ndoshta kjo ishte diçka e urdhëruar. Shpresoj që gjyqtarët ta lenë Perunë të luajë siç duhet në finale, por nuk besoj se kjo do të ndodhë”.

Ironia e fatit e do që Mesi të ketë dyfish më shumë kartona se Klaudio Xhentile, i mbiquajtur nga FIFA si njeriu më i ashpër i kupave të botës.

Nëse argjentinasi ka dy të kuq në karrierë, Xhentile ka marrë vetëm një, dhe kjo nuk ndodhi në Botërorin e 1982-it ku ai shkatërroi Maradonën me faulla, por kur luante për Juventusin.

Kartoni i parë i kuq për Mesin, çuditërisht u ndodh në debutimin e tij me Argjentinën, madje pa kaluar dy minuta kur hyri në fushë në miqësoren ndaj Hungarisë në Budapest.

Ai goditi me bërryl një kundërshtar që e kishte kapur për fanele, dhe u ndëshkua me dënimin maksimal./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!