Ardian Mema, legjenda në stolin e Tiranës

schedule20:33 - 13 Tetor, 2018

schedule 20:33 - 13 Tetor, 2018

Trajneri i ri i Tiranës, Ardian Mema, është një legjendë e vërtetë e klubit kryeqytetas. Ai doli gjashtë herë kampion i futbollit, ndërsa bën pjesë në një dinasti të vërtetë të futbollit bardheblu.

Këto hapa i hodhi vërtet me shumë emocion. Ardian Mema trajner i Tiranës, ka një domethënie të madhe, nga më të mëdhatë që mund të jenë në futbollin shqiptar. Dyzeteshtatëvjeçari, që pranoi ftesën e presidentit Halili, është pa dyshim një nga legjendat më të mëdha të klubit kryeqytetas. Në vitet 80-të ishte pjesë e ekipit të të rinjve, ndërsa kalimi në skuadrën e të rriturve u bë në 1988, në mbyllje të epokës së 17 Nëntorit të madh të Mingës, Kolës, Muçës apo Josës.

Një mesfushor tepër i fortë fizikisht dhe me shumë karakter, Mema u bë pjesë e Tiranës që fitoi trofe të shumtë në vitet 90-të dhe në fillim të viteve 2000. Nga Kupa në 1994, te kampionatet radhazi 1995-1997, pastaj në 1999-2000, për t’i dhënë fund karrierës në fushë në 2003, edhe për shkak të një dëmtimi. Një karrierë në të cilën fitoi 6 tituj kampion, 5 Kupa të Shqipërisë dhe 4 Superkupa, dhe të cilën e kaloi të gjithën tek Tirana, me përjashtim të një sezoni 1996-1997 tek Partizani. Ardi luajti edhe 8 ndeshje me kombëtaren.

Si trajner punoi me moshat dhe me minifutbollin, ndërsa në 2007 ishte ndihmës i Astrit Hafizit pikërisht tek Tirana, ku në 2013 u bë trajner i ekipit B. Në vitet 2009-2011 ishte trajner i Shqipërisë U17, së bashku me Luan Senglën dhe Gud Tafajin. Punoi në 2015 në Arabinë Saudite, në Hajër-Klub, me ekipin U19, ndërsa u kthye në Shqipëri e u bë ndihmës i Ilir Dajës, fillimisht tek Skënderbeu e deri para dy ditësh tek Flamurtari. Ardian Mema është pjesë e një dinastie të madhe bardheblu, pas babait të tij, Ali Mema, Osman Memës e Sulejman Memës, si dhe të Haxhi Arbanës, të brezit më të vjetër. Shpresa dhe entuziazmi është i madh tek tifozët për emërimin e Memës, ndonëse do të duhet një mrekulli për ta bërë sërish fitues ekipin 24 herë kampion të Shqipërisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!