Ardian Ismajli në ekipin e javës në Kroaci

schedule14:40 - 14 Shkurt, 2019

schedule 14:40 - 14 Shkurt, 2019

Mbrojtësi i ekipit përfaqësues, Ardian Ismajli, u zgjodh në formacionin më të mirë të javës në Ligën e Parë të Kroacisë. Ismajli shënoi gol, ndërsa u ndoq nga trajneri Kristian Panuçi.

Kombëtarja mezi i pret në një formë të tillë. Ardian Ismajli jo vetëm shënoi gol këtë javë në Ligën e Parë të Kroacisë, por edhe shkëlqeu si pak të tjerë.

Mbrojtësi i kombëtares ishte më i miri në fushë në ndeshjen e ekipit të tij, Hajdukut, ndaj Lokomotivës së Zagrebit, luajtur në stadiumin “Poljud” të Splitit.

Ai realizoi golin e parë në fitoren 2-1, sukses i rëndësishëm në një sezon të vështirë për klubin më të vjetër të Kroacisë.

Për paraqitjen e tij, Ismajli u përfshi në formacionin e lojtarëve më të mirë të javës së 20-të të kampionatit.

Media në internet, “24 orë”, informon se mbrojtësi u ndoq në tribunë nga trajneri i Shqipërisë, Panuçi, duke iu përgjigjur pra me një lojë shumë të mirë.

Në të njëjtën ndeshje, golin e gjeti edhe një lojtar që është mësuar të shënojë.

Sulmuesi i kombëtares, Myrto Uzuni, realizoi rrjetën e barazimit të përkohshëm, ndonëse nuk e shpëtoi ekipin nga humbja.

Gjithsesi, falë edhe lojës së Uzunit, Lokomotiva është në vend të katërt në tabelë, me pretendime reale për t’u kualifikuar për në Ligën e Europës.

Gol edhe nga një shqiptar tjetër, dhe pikërisht nga Elis Bakaj.

Sulmuesi realizoi për skuadrën bjelloruse, Shahtjor Soligorsk, në ndeshjen përgatitore ndaj rusëve të Rubinit të Kazanjit.

Bakaj shënoi golin e parë të takimit të zhvilluar në Belek, në zonën e Antalias në Turqi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!