Ardi Veliu në Europol, diskutohen çështjet e krimit të organizuar

schedule16:56 - 3 Tetor, 2019

schedule 16:56 - 3 Tetor, 2019

Në ambientet e Europol-it në Hagë, Holandë u zhvillua Konventa e Drejtorëve të Policive Europiane për vitin 2019, e organizuar nga Europol-i dhe Presidenca Finlandeze e Këshillit të Bashkimit Europian.

Në fokus të konventës ishin lufta ndaj krimit të organizuar, ndikimet e tij në shoqëri dhe roli i Europol-it si një platformë e Policimit Europian, evoluimi i krimit dhe bashkimi i forcave në luftën ndaj tij, si dhe domosdoshmëria e forcimit të bashkëpunimit policor europian.

Gjatë konventës, Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu mori pjesë në takimin e Drejtorëve të Policisë në Forumin e Salzburgut, si dhe zhvilloi disa takime bilaterale me delegacionin e policisë spanjolle, me delegacionin e xhandarmërisë holandeze dhe me delegacionin e policisë holandeze.

Takimi i Drejtoreve të Policisë në Forumin e Salzburgut u kryesua nga Drejtori i Përgjithshëm i Komanduar për Sigurinë Publike në Austri z. Franz LANG, Kryetari i Sekretariatit të PCC SEE-së Z. Ottavio Bottecchia dhe Miqtë e Forumit të Salzburgut nga Ballkani Perëndimor dhe Moldavia.

Në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e implementimit të teknologjisë bashkëkohore në fushën e IT dhe investimet në këtë drejtim, me qëllim ndjekjen dhe arrestimin sa më të shpejtë të personave të përfshirë në veprimtari kriminale, të cilët cënojnë sigurinë publike në vendet e përfshira në këtë forum.

Drejtori i Përgjithshëm Veliu zhvilloi një bisedë miqësore me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Kombëtare Spanjolle Z. Francisco Pardo Piqueras, Shefi i delegacionit.

Veliu dhe Piqueras diskutuan çështjet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, emigracionin e paligjshëm dhe terrorizmin.

Në takimin mes Drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu dhe Gjeneralit të Xhandarmërisë Holandeze z. Marinus Hendrickx, u theksua rëndësia e koordinimit të përpjekjeve te përbashkëta në luftën ndaj emigrimit të paligjshëm.

Në këtë kuadër, u ra dakord për një takim të ekspertëve të dy agjencive, për të koordinuar veprimet e mëtejshme në luftën ndaj emigrimit të paligjshëm.

Gjenerali Holandez z. Marinus Hendrickx shprehu falënderimet e tij për punën e përkushtuar të Policisë së Shtetit, për parandalimin e emigrimit të paligjshëm.

Po gjatë Konventës, drejtor Veliu u takua dhe bisedoi me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Holandeze Z. Erik Akkerboom.

Gjatë bisedës, të dy drejtorët vlerësuan marrëdhëniet mjaft të mira mes dy policive dhe theksuan se është i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy policive në luftën ndaj grupeve kriminale që shtrijnë aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe Holandë.

Për këtë u ra dakord që të zhvillohet një takim ndërmjet ekspertëve të dy policive për të koordinuar veprimet e mëtejshme në luftën ndaj krimit të organizuar.

Z. Erik Akkerboom ka pranuar me kënaqësi ftesën e bwrë nga Drejtor Veliu për të vizituar Policinë e Shtetit.

Gjithashtu, po në kuadrin e takimeve bilaterale Veliu u takua edhe me znj. Jurgita Peciuriene, Drejtuese e Insitutit për Barazinë Gjinore Europiane EGE.

Gjatë takimit u diskutua mbi rolin dhe pjesëmarrjen e grave në Policitë Europiane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!