Arbnor Muja do të jetë futbollisti më i ri i Kombëtares së Shqipërisë.
Sulmuesi kosovar ishte grumbulluar nga Kombëtarja e Kosovës në muajin mars për dy ndeshjet ndaj Izraelit në udhëtim dhe Andorrës, por nuk u aktivizua fare. Ai nuk ishte vlerësuar aspak nga ish-trajneri i Kosovës, Alain Giresse dhe Muja ka marrë vendimin e ri.
Ai tanimë ka vendosur përfundimisht dhe do ta përfaqësojë Kombëtaren e Shqipërisë. 24-vjeçari aktualisht ndodhet në Tiranë ku ka udhëtuar nga Belgjika për tu pajisur me pasaportën shqiptare.
Anëtari i skuadrës belge Royal Antwerp do të grumbullohet nga trajneri i Shqipërisë, Sylvinho për dy ndeshjet e muajit shtator ndaj Republikës Çeke dhe ndaj Polonisë.
Ka qenë pikërisht trajneri brazilian i Shqipërisë, Sylvinho që ka insistuar për afrimin e Mujës pasi e sheh si një nga lojtarët shumë të rëndësishëm. Raportohet se Shqipëria e kishte kontaktuar Mujën që nga viti i kaluar, por ai fillimisht dëshironte Kosovën./ h.ll/abcnews.al