Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku thotë se në fillim të muajit maj, do të hapet tregu i ri ushqimor publik në Farkë, që do të shërbejë për fermerët e Tiranës.
Në emisionin “Zonë e Lirë” në ABC News, Mazniku u shpreh se bashkia do të kërkojë bashkërendimin e punës së fshatarëve dhe fermerëve të zonës, për të prodhuar produkt të ngjashëm, për ta standardizuar atë dhe për të pasur mundësi që ta shesin në mënyrë të përbashkët.
Ndër të tjera, Mazniku nënvizoi se bashkia ka bërë një punë e jashtëzakonshme, për pastrimin dhe rehabilitimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse në fshat.
“Përsa i përket bujqësisë, ne jemi fokusuar në dy elementë, të cilat janë ato pjesë që na përkasin ne si bashki për të bërë. Pjesa e parë, në pak ditë, në ditët e para të majit, hapet tregu i ri i madh, që është treg i bashkisë për të gjithë fermerët e Tiranës, i cili nuk do të funksionojë në fakt thjesht si një treg, por do të ketë si synim të bëjë agregimin e produktit ushqimor. Në vijimsi, ne do të kërkojmë që të bashkërendojmë punën e fshatarëve dhe fermerëve të zonës, për të prodhuar produkt të ngjashëm, për ta standardizuar atë dhe për të pasur mundësi që ta shesin në mënyrë të përbashkët, duke rritur potencialisht volumin dhe cilësinë e produktit në treg.
Pjesa e dytë, është bërë një punë e jashtëzakonshme, për pastrimin dhe rehabilitimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse në fshat, e cila nuk ishte bërë në 30 vitet e mëparshme. Këto janë dy përgjegjësitë që kemi ne për fshatin”, theksoi ai./abcnews.al