Dëshirën padyshim e ka për t’u larguar, por duhen plotësuar disa kushte.
Arbër Hoxha mesa duket do të vazhdojë të jetë lojtar i Dinamos së Zagrebit edhe për fazën e dytë të këtij sezoni, ndërsa mediat kroate shkruajnë se kampionët kanë hedhur poshtë dy oferta për të.
“Jutarnji List” komenton se njëra ofertë ka ardhur nga Leçe, dhe se vlera e saj ishte 1.3 milionë euro, ndërsa burimi I ofertës tjetër mbetet sekret.
Dinamo e mori Hoxhën për 1 milionë euro janarin e kaluar, dhe dëshiron të fitojë shumë më tepër nga ky transferim, kur të ndodhë, ndërsa vlerësimi në transfermarkt është 1.5 milionë euro.
Me ardhjen e trajnerit Fabio Kanavaro, statusi I yllit të kombëtares shqiptare u vu në diskutim, sepse skemat e italianit ishin të tilla që nuk përfshinin një numër të madh të lojtarëve të krahut.
Tek Dinamo ka shumë lojtarë të tillë dhe sipas “Jutarnjit”, ata do të kenë role dytësore.
Gjithsesi, kjo situatë ndryshoi që në nisje të fazës përgatitore në Turqi.
Kanavaro vuri re me kënaqësi se Hoxha ishte mjaft I vlefshëm për të.
Siç komentojnë mediat e Zagrebit, shqiptari nga Kosova u dallua jo vetëm sepse shënoi gol, por edhe sepse luajti mjaft mirë, ndaj ish-kampioni I botës do të vazhdojë t’i japë shanse dhe ka shpresa të mëdha tek ai./abcnews.al